Protestë Në Gramsh Për Helmimin Me Salmonelë: Prindërit Akuzojnë Shtetin Për Heshtje

0

Prindërit e fëmijëve që u prekën nga salmonela në kopshtin publik të Gramshit kanë dalë sot në protestë përpara bashkisë, duke kërkuar hetim të thelluar dhe ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve shtetërore. Ata shprehen të revoltuar për mungesën totale të reagimit dhe kujdesit ndaj fëmijëve të tyre.

“Nuk Na Pyeti Askush Si Janë Fëmijët Tanë”

Një prej prindërve tregon se përgjigja për analizat e fëmijës i është vonuar dhe ka ardhur vetëm pas përplasjesh verbale me drejtues të kopshtit:
“E kishim për ta marrë të shtunën, por nuk na e dhanë. Nuk ka ardhur asnjë përfaqësues i shtetit në shtëpi, askush nuk na mori në telefon. Mjekimet i kemi bërë me lekët tona.”

Frikë Dhe Tmerr Për 72 Orë

Një tjetër prind tregon se një nga binjakët e tij ka kaluar 72 orë me të vjella dhe diarre çdo 10 minuta, ndërsa tjetri fatmirësisht nuk është prekur:
“E gjithë situata ishte një tmerr. Jam i bindur që helmimi ndodhi në kopsht. Dyshohet për supën e pulës.”

Edukatorët Dhënë Alarmin, Por Institucionet Heshtin

Disa prindër pohojnë se kanë marrë njoftimin e parë nga edukatorët dhe vetëm pas disa ditësh e kuptuan se bëhej fjalë për salmonelë. Ndërkohë, një prind tjetër thekson:
“Fëmija ka 8 ditë me dhimbje barku dhe diarre. Na është thënë fillimisht se ishte virozë. Më pas mësuam të vërtetën.”

Akuza Për Tenderin: Ushqimi Jo Nga Gramshi

Sipas prindërve, ushqimi nuk përgatitet nga stafi lokal, por vjen nga një kompani private me qendër jashtë qytetit, çka ka ngritur dyshime për standardet dhe sigurinë ushqimore.
“Mesa duket, është një tender i dhënë një biznesi jashtë Gramshit. Kërkojmë hetim të thelluar.”

Frika Për Rihapjen E Kopshtit

Për shumë prindër, besimi ndaj institucionit është i humbur dhe kanë hezitim të dërgojnë sërish fëmijët në kopsht:
“Nuk jam i sigurt të çoj fëmijën përsëri atje. Akoma ka dhimbje barku.”

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar zyrtarisht 17 raste të infektuara me salmonelë, ndërsa kryebashkiaku Ajazi ka deklaruar se ushqimi “furnizohet nga një kompani dhe gatuhet në ambientet e kopshtit”.

Protesta e prindërve është një thirrje e fortë për llogaridhënie, ndërsa rasti i Gramshit ngre alarmin për sigurinë ushqimore në institucionet publike për fëmijë.

Artikulli i mëparshëmAksident Tragjik Në Gjermani: Humbin Jetën 3 Shqiptarë, Plagosen 4 Të Tjerë
Artikulli i radhës(VIDEO) Presidenti Macron Goditet Me Shuplakë Nga Gruaja Në Vietnam – Videoja Bëhet Virale