Nato i kërkon Gjermanisë 40 mijë ushtarë shtesë përballë kërcënimit nga Rusia

0

Aleanca në alarm: Objektivat ushtarake rriten me 50%, shtatë brigada të tjera kërkohen nga Berlini

NATO i ka kërkuar Gjermanisë të vërë në dispozicion 40,000 ushtarë shtesë, si pjesë e një rritjeje drastike të forcave të saj ushtarake, përballë kërcënimit në rritje nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës.

Sipas burimeve të brendshme të agjencisë Reuters, bëhet fjalë për një angazhim shtesë prej shtatë brigadash nga Berlini, në kuadër të objektivave të rinj që ministrat e Mbrojtjes të NATO-s pritet të miratojnë javën e ardhshme.

Rritje me 50% e objektivave ushtarake

Një zyrtar i lartë ushtarak tha se NATO synon të rrisë numrin e përgjithshëm të brigadave që vendet anëtare duhet të vënë në dispozicion, nga 80 në 120 deri në 130 brigada. Kjo përfaqëson një rritje prej 50% të objektivave aktuale.

Zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes nuk pranoi të komentojë mbi këtë kërkesë, duke u shprehur se vendimet do të diskutohen në samitin e ardhshëm të NATO-s, ndërsa vetë Aleanca nuk ka bërë ende deklarata zyrtare.

Rusia shihet si rreziku kryesor

Pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, NATO e konsideron Rusinë një kërcënim të madh dhe të vazhdueshëm. Për këtë arsye, Aleanca ka nisur një proces të thellë të ristrukturimit të mbrojtjes kolektive, duke kërkuar jo vetëm më shumë trupa, por edhe rritje të ndjeshme të buxhetit ushtarak.

Në samitin e NATO-s në Hagë, Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte do t’u propozojë vendeve anëtare që të rrisin shpenzimet ushtarake nga 2% në 5% të PBB-së, ku 3.5% do t’i dedikohen ushtrisë dhe 1.5% sektorëve ndihmës.


Artikulli i mëparshëmKontrabandë Me Ilaçe Në Fier: Arrestohen Katër Administratorë Farmacie, Sekuestrohen Barnat Pa Pullë Fiskale
Artikulli i radhësAlaska Në Alarm Për Shpërthimin E Mundshëm Të Vullkanit Gjigant