
Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Saimir Boshnjaku, ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Sipas raportimeve në media, ai ia ka dorëzuar personalisht dorëheqjen ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, pas tre vitesh në këtë post, të cilin e mbante që nga 20 korriku 2022.
Profili dhe karriera e Saimir Boshnjakut përfshin më shumë se tre dekada përvojë në strukturat e sigurisë shqiptare. Ai e nisi rrugëtimin në korrik 1992 në Gardën e Republikës, ku për dhjetë vite mbajti funksione të rëndësishme si komandant toge, komandant kompanie dhe oficer shoqërues i personaliteteve të larta shtetërore.
Në vitin 2002, Boshnjaku iu bashkua Policisë së Shtetit si inspektor në Zyrën Rajonale të Luftës kundër Trafiqeve të Paligjshme në Tiranë. Që nga ajo kohë, ai ka shërbyer në një sërë pozicionesh drejtuese, ndër të cilat përmendim: Kryekontrollor në Komisariatin e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, Komandant Grupi në Fier, Shef i Sektorit për Migracionin, drejtor rajonal në Tiranë e Durrës dhe më vonë edhe drejtor i Qendrës së Mbyllur për të Huajt.
Përveç përvojës në terren, Boshnjaku ka marrë pjesë në dhjetëra kurse dhe trajnime ndërkombëtare në SHBA, Hungari dhe vende të tjera të BE-së. Në to janë përfshirë kurse për luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, menaxhimin e krizave, si dhe për strategjitë e komandimit dhe kontrollit të kufijve. Një nga trajnimet më të rëndësishme ishte programi ndërkombëtar i vizitorëve në SHBA mbi luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Aktualisht nuk janë dhënë arsyet zyrtare për largimin e tij, por dorëheqja vjen në një moment kur çështjet e sigurisë kufitare dhe flukset migratore kanë qenë në fokus të debateve publike dhe ndërkombëtare.