
Hetimet për vdekjen e Kozeta Teços, 52-vjeçarja që u gjet e pajetë në banesën e djegur në lagjen nr. 1 të Pogradecit, kanë marrë një kthesë të re dhe tronditëse. Grupi hetimor njofton se ngjarja po trajtohet jo më si aksidentale, por si krim i mundshëm me dashje.
Burime pranë hetuesve zbulojnë se dyshimet kryesore janë se zjarrvënia është kryer me qëllim, me qëllim fshehjen e një krimi më të rëndë. Ekspertët mjeko-ligjorë, pas këqyrjes paraprake të trupit të viktimës, kanë konstatuar shenja të dukshme dhune, që përforcojnë skenarin e vrasjes para zjarrvënies.
Sipas të dhënave të para, pista kryesore e hetimeve është ajo e një konflikti për motive pronësie, që mund të ketë çuar në aktin e rëndë kriminal. Pamjet filmike të sigurisë nga dy objekte pranë pallatit janë sekuestruar, ndërsa disa persona janë shoqëruar nga Policia e Pogradecit dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi dinamikën e ngjarjes.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet kanë shtuar forcat hetimore dhe janë në kërkim të autorëve të mundshëm të këtij krimi të rëndë. Vazhdohet me verifikimin e të gjitha pistave, ndërkohë që familjarët e viktimës kërkojnë drejtësi.