Benet Beci Largon Nga Puna Aktorët e Teatrit Migjeni – Kush Nuk Asht i Denjë Për Partinë, S’ka Vend As Në Skenë!

0

Në një vend ku vjedhja e miliona eurove nuk të çon në pushim nga detyra, por në një mandat të ri qeverisës, ndodhin edhe mrekulli: në Shkodër, djepi i kulturës shqiptare, aktorët po pushohen nga puna për mungesë efikasiteti. Dhe këtë vendim e firmos një njeri që, sipas SPAK, e ka kuptuar efikasitetin si mënyrën më të shpejtë për të çuar paratë publike në xhepa privatë.

Benet Beci, njeriu që as emrin e Teatrit “Migjeni” nuk e shqipton dot me theks shkodran, vendosi të jetë për pak ditë edhe kritik arti. Me dorën e tij, ose më saktë përmes dorës së Drejtorisë së Kulturës në Bashkinë e Shkodrës, ai nënshkroi pushimin nga puna të dy aktorëve të njohur: Simon Shkreli dhe Vladimir Doda.

Matjet e Efikasitetit? Rasti i Metrikës Surreale

Çfarë i mungonte këtyre aktorëve? Sipas bashkisë: efikasiteti, produktiviteti dhe cilësia. Duket se aktorët tanë duhet të masin rolet me share, like, apo repost në rrjetet sociale, ku rolin kryesore e luajnë Zegjinetë, Ajolërat apo Lalët e burgosur.

Simon Shkreli, me mbi 20 role e dhjetëra shfaqje, vlerësime kombëtare e ndërkombëtare, kurse Vladimir Doda, me një CV të pasur europiane e aktivitete të palodhura në teatër, nuk i përmbushën “treguesit”. Po cilët tregues? Treguesit e një bashkie që nuk di të tregojë as vetë ku është Teatri “Migjeni” në hartë, veç nëse duhet t’ia japë ndonjë ndërtuesi.

Kur Partia Drejton Artin, Artistët Marrin Letër Largimi

Simon Shkreli ka edhe një “defekt” tjetër: është bashkëshort i kryetares së PD në Shkodër. Koincidencë, sigurisht. Sepse në Shqipëri nuk bëhen pushime për arsye politike. Thjesht nuk përmbushi dot kriteret ramisto-beneciane të servilizmit rilindas.

Vladimir Doda? E thjeshtë. Protestues aktiv. Artist i angazhuar. I papërshtatshëm për një sistem ku regjisorët vijnë me urdhër partie dhe kastingu bëhet në zyrat e patronazhistëve.

Teatri Migjeni – Nga Skena e Artit në Korridor Bashkie

Teatri “Migjeni”, që dikur ishte krenaria e Shkodrës, sot është degraduar në një departament në varësi të urdhrave partiakë. Jo më institucion i pavarur artistik, por një vegël për propagandë dhe rehatime me bordero. Aty ku dikur Bep Shiroka recitonte për ideal, sot Benet Beci urdhëron për disiplinë burokratike.

Drejtues të tillë si Sara Smaja, që dikur i braktisnin rolet për “mospërputhje me teatrin”, tani vendosin për fatin e artistëve që i kanë dedikuar jetën kësaj skene.

Ironia e Kohës: Kur Një Hetim i SPAK-ut është Më Pak I Rrezikshëm se Një Monolog

Benet Beci është i hetuar nga SPAK për afera miliona euro. Por nuk është pezulluar. Sepse shteti shqiptar ndëshkon vetëm ata që e fyejnë me talent. Artistët, gazetarët, mendimtarët. Ndërsa ata që i zbrazin xhepat, i promovon.

Në këtë realitet grotesk, pushohen nga puna aktorët për mungesë produktiviteti, ndërsa kryebashkiakët me dosje korrupsioni mbrohen me urdhra partie dhe shoë me dron.

Pyetja që S’Duhet Bërë, Por Që Nuk Ndalet së Bëri

Kush do të jetë i radhës? Cili regjisori tjetër do të guxojë të propozojë një shfaqje që s’pëlqehet nga kabineti i propagandës bashkiake? Cili aktor tjetër do të përjashtohet për mungesë “rilindjeje shpirtërore”?

Sot janë Simoni dhe Vladimiri. Nesër… mbase çdo zë që guxon të mos lexojë rolin e përgatitur në skenën politike. Por, siç thotë populli, aktorëve nuk ua merr dot njeri skenën. Jo më pak një Benet që ngatërron teatrot me zyrat e FSHZH.

Fundi i Shfaqjes? Jo ende!

Historia e dy aktorëve të pushuar është një metaforë e Shqipërisë së sotme. Një vend ku suksesi nuk matet me punë, por me heshtje, ku cilësia në punë është problem për artistin, por vlerë për oligarkun.

Në fund, kjo nuk është thjesht një dramë për Teatrin Migjeni. Është një tragjikomedi kombëtare, ku publiku po zgjohet dhe aktorët e vërtetë janë jashtë skene — në rrugë, me qytetarët.

Aty ku duhet të fillojë revolta, dhe ndoshta një akt i ri për artin, dinjitetin dhe Shqipërinë.

Artikulli i mëparshëmGentian Sula Rrëfen Para SPAK: Kontrata Me Ajola Xoxën Ishte Një Favor, Jo Një Marrëveshje E Vërtetë
Artikulli i radhësRregulla Të Reja Për Hyrjen Në Schengen Nga Tetori 2025: ETIAS Dhe EES Prekin Edhe Shqiptarët Dhe Kosovarët