Kodi Penal i Censurës: 3 Vite Burg Për Humor Me Edin Dhe Bajramin

0

Në një vend që pretendon se ecën drejt standardeve të BE-së, Shqipëria po bën hapa pas në lirinë e fjalës. Një nen në Kodin Penal, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, parashikon 3 vite burgim për këdo që “përdhos” figurën e Presidentit Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama, apo anëtarëve të Këshillit të Ministrave – përmes ironisë, sarkazmës, apo edhe një memeje.

Ky nen i ri i frikës dhe censurës, që ngjan më shumë me ligjet e diktaturës sesa të një shteti demokratik, i kthen në “të shenjtë” drejtuesit politikë të vendit, duke ndëshkuar ata që i kritikojnë me humor, ndërkohë që korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin mbeten të pandëshkuara.

Në vend që të dënohet vjedhja e fondeve publike, do të dënohet ai që guxon të thotë se pikturat e Ramës nuk janë më shumë se shkaravina apo që Begaj s’ka folur kurrë në emër të popullit, por gjithmonë në zë të ulët që të mos shqetësojë shefin. Për një video humoristike në TikTok, rrezikon të marrësh të njëjtën masë dënimi si për një vepër penale serioze.

Neni 235: Përdhosja e Republikës

Ky është neni që ndalon “përdhosjen” e Republikës dhe institucioneve të saj. Fjalë si “përbuzje”, “tallje” dhe “poshtërim” janë futur në gjuhën e ligjit për të kufizuar shprehjen e lirë. Ai përfshin:

  • Dënime deri në 3 vite burg për tallje ndaj Presidentit, Qeverisë, Parlamentit, Gjykatave, Ushtrisë apo Dëshmorëve.
  • Dënime deri në 4 vite burg nëse kritika ndodh gjatë ceremonive zyrtare apo festave kombëtare.
  • Dënime për “përdhosje të Kombit Shqiptar”, me burg nga 1 deri në 4 vjet.

Në një realitet ku shumica e të rinjve kanë emigruar, ku shtresa e mesme po varfërohet dhe ku krimi i organizuar ka penetruar institucionet, pushteti po zgjedh të ndëshkojë jo abuzuesit, por komedianët, karikaturistët, satiristët, memexhinjtë, gazetarët kritikë dhe çdo qytetar që shfryn në rrjete sociale.

Kështu, në vend që të ndërtojmë një shtet të së drejtës, po ndërtojmë një republikë të frikës dhe propagandës, ku e vetmja gjë që nuk lejohet më është të qeshësh me pushtetin.


Pse është problematik ky nen i Kodit Penal?
Sepse ai kriminalizon të drejtën e fjalës së lirë, duke i barazuar kritikat dhe humorin me vepra penale.

Kë prek ligji konkretisht?
Çdo qytetar që në publik ose në rrjete sociale tallet, ironizon apo komenton me kriticizëm institucionet dhe drejtuesit shtetërorë.

A janë të mbrojtura institucionet në vendet demokratike?
Po, por jo përmes burgosjes së kritikëve. Në demokracitë europiane, liria e shprehjes është e mbrojtur me Kushtetutë dhe ka përparësi ndaj ndjeshmërisë së pushtetit.

Çfarë duhet të ndodhë tani?
Shoqëria civile, mediat dhe qytetarët duhet të kërkojnë heqjen e këtij neni antikushtetues, që rikthen frymën e totalitarizmit në një vend që pretendon të jetë demokratik.

Nëse historia ka mësuar diçka, është se pushteti që trembet nga humori, është pushtet i dobët. Dhe kur memet bëhen krim, atëherë tallja bëhet mjeti më i fuqishëm i rezistencës. Në një vend ku diktatura nuk vjen me tanke, por me ligje që mbyllin gojët – të qeshësh është akt i guximit.


Artikulli i mëparshëmKrim Tronditës Në Itali: Nëna Dhe E Fejuara Vrasin 35-Vjeçarin, E Mbulojnë Me Gëlqere
Artikulli i radhës(VIDEO) “Çekiçi” Thyhet në Ajër në Arabinë Saudite – 23 të Plagosur, 3 në Gjendje të Rëndë