
Policia ka vënë në pranga Françesk Mecajn, 30 vjeç, nga Malësia e Madhe, i njohur për precedentë të rëndë kriminal dhe i dënuar dy herë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në qytezën italiane të Lecco-s, pranë Milanos. Arrestimi erdhi si rezultat i një operacioni policor ndërkombëtar të koduar “Dërgesa”, i zhvilluar nga DVP Lezhë në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Shkodër dhe Guardia di Finanza italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane.
Armët e luftës të fshehura në bagazh pasagjerësh
Hetimet zbuluan se Mecaj kishte dërguar 5 armë zjarri automatike të tipit kallashnikov, qindra fishekë luftarakë dhe katër krehra fishekësh drejt Italisë, duke i kamufluar në valixhe me sende të ndryshme dhe duke përdorur kompani private transporti udhëtarësh. Ngarkesa u sekuestrua në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua një mikrobus i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga shtetasit E. M. dhe A. D., të cilët u arrestuan nga policia italiane.
Një rrjet kriminal me shtrirje në BE
Sipas Policisë së Lezhës, Mecaj siguronte armë dhe municione për palë të treta në Bashkimin Europian kundrejt pagesës. Ai përdorte linja të rregullta transporti për të kaluar ngarkesat, duke i maskuar në bagazhe të zakonshme.
Operacioni vijon në Shqipëri dhe Itali për identifikimin e marrësve të armëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.