Bleu merimanga në internet, vdes tragjikisht babai i dy fëmijëve në Britani

0

Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë ka tronditur Prescot, Merseyside, ku një 34-vjeçar shqiptar i njohur në komunitet, Mark Anthony Kirby, ka humbur jetën vetëm një javë pasi dyshohet se u pickua nga një merimangë helmuese të cilën e kishte blerë në internet.

Sipas ish-partneres së tij, Kayleigh Gill, me të cilën kishte qenë i lidhur për 16 vite, Mark ishte bërë i fiksuar pas merimangave gjatë muajve të fundit, edhe pse më herët kishte pasur frikë nga insektet. Ai kishte blerë pesë merimanga helmuese online dhe i mbante në apartamentin e tij, duke u kujdesur vetë për to.

Simptomat fatale pas pickimit të dyshuar

Vetëm pak ditë pas blerjes, Mark filloi të shfaqte shenja shqetësuese: temperaturë të luhatshme, dhimbje gjymtyrësh dhe vështirësi në frymëmarrje. Më 2 gusht, ai telefonoi në panik motrën e ish-partneres duke i thënë: “Nuk po marr dot frymë siç duhet”. Ajo nxitoi në banesën e tij dhe thirri menjëherë urgjencën, por mjekët nuk mundën t’i shpëtonin jetën.

Autopsia ende nuk është përfunduar

Ekspertët mjeko-ligjorë ende nuk kanë përcaktuar shkakun zyrtar të vdekjes, por simptomat që ai zhvilloi përgjatë një jave e gjysmë përkojnë me helmimin nga pickimi i merimangës. Kayleigh ka treguar se Mark nuk pranoi të shkonte në spital për mjekim, pavarësisht paralajmërimeve të saj.

Një pasion që u kthye në tragjedi

Të afërmit e përshkruajnë atë si një baba të përkushtuar për dy fëmijët e tij, por njëkohësisht si një njeri që kishte nisur të fiksuhej me kafshët ekzotike, një pasion i cili fatkeqësisht u kthye në shkak të dyshuar të vdekjes së tij.

Ngjarja ka hapur debat në Britani mbi rreziqet e blerjeve të kafshëve ekzotike online, sidomos atyre me helm vdekjeprurës, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe mungesën e kontrolleve ligjore.


Artikulli i mëparshëmFRIKË NGA “ETHET E NILIT”! ITALIA NË ALARM, DY VIKTIMA TË REJA DHE DHJETËRA TË INFEKTUAR
Artikulli i radhësMashtruesi “serial” i taksistëve në Tiranë dënohet nga Gjykata, përdorte qese plehrash si “garanci”