
Një ngjarje tronditëse është shënuar paraditen e sotme në Bulqizë, ku një 33-vjeçar është gjetur i pajetë nga familjarët e tij.
Sipas burimeve të para nga vendi i ngjarjes, viktima, i identifikuar me inicialet A.D., dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ai është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në zonën e Fushë-Bulqizës, rreth orës 10:50.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka bërë të ditur në një njoftim paraprak se i riu dyshohet të ketë kryer vetëvrasje duke u vetëvarur.
“Rreth orës 10:50, në Fushë-Bulqizë, është gjetur nga familjarët, pa shenja jete, shtetasi A.D., 33 vjeç, i cili dyshohet se vuante nga shëndeti mendor. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, trupi i viktimës është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor, për të përcaktuar me saktësi shkaqet e vdekjes. Hetimet vijojnë për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me vetëvrasje apo një rrethanë tjetër që mund të ketë çuar në këtë fund tragjik.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e Bulqizës, duke ngritur sërish alarmin për problematikat e shëndetit mendor dhe mbështetjen e munguar për të rinjtë që përballen me sfida të tilla.