
Deputetja e re nga Elbasani, Sara Mila, u gjend në qendër të vëmendjes gjatë seancës së parë të Kuvendit, kur gazetarja Ambrozia Meta e pyeti drejtpërdrejt: “A bëre fushatë në burg?”. Pyetja lidhej me faktin se në qendrën e votimit të burgut të Elbasanit, nga 102 vota gjithsej, Mila kishte marrë 92 vota, një rezultat që ngriti dyshime të forta për lidhje me krimin në këtë qytet.
E vendosur përballë gazetares, Mila nuk dha një përgjigje të qartë, duke u mjaftuar të thotë: “Kam përshtypjen se çfarë kisha për të thënë e thanë. Komentet e tjera janë të tepërta”. Pavarësisht ngulmimit të Metës, deputetja u shmang dhe e mbylli bisedën.
Akuzat E Opozitës
Që para zgjedhjeve të 11 majit, opozita kishte paralajmëruar se Sara Mila ishte produkt i bandës së Suel Çelës në Elbasan. Rezultati i saj – mbi 18 mijë vota personale – e nxori si një nga kandidatët më të votuar në nivel kombëtar, duke e renditur përkrah figurave të njohura politike.
Por, votat në burgun e Elbasanit, ku Mila mori gati 90% të mbështetjes, mbeten një “fenomen i çuditshëm” dhe i pashpjeguar logjikisht.
Etiketa Nga Berisha
Kreu i PD, Sali Berisha, e ka quajtur publikisht Milën “Princesha e burgut”. Ai akuzoi se mbështetja e saj është e lidhur me strukturat kriminale që kontrollojnë Elbasanin:
“Sepse burgun e kontrollojnë ata që kontrollojnë Ulsiun dhe Ulsiun e kontrollojnë vetëm bandat. Shikojeni, princesha e burgut, Sara Mile, çfarë t’i themi.”
Një Deputete Kontroversale
Nga një ish-punonjëse e Shërbimit Social Shtetëror, Sara Mila u shndërrua brenda pak muajsh në një figurë të politikës kombëtare. Por ngritja e saj e menjëhershme shoqërohet me dyshime të rënda për ndërhyrje të krimit të organizuar në zgjedhje. Për momentin, Mila i shmanget pyetjeve direkte, por presioni publik dhe mediatik ndaj saj vetëm sa po rritet.