
Një përplasje e brendshme në Partinë Socialiste ka dalë në pah gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të zhvilluar në Hotel Tirana, ku Kryeministri Edi Rama ndau detyrat për fushatën e pjesshme elektorale në kryeqytet.
Sipas burimeve nga takimi, ministrja Elisa Spiropali është përjashtuar nga fushata në Tiranë, një lëvizje që më shumë lidhet me ndikimin e Belinda Ballukut, e cila tashmë ka marrë drejtimin e organizimit elektoral.
Ironia e Ramës dhe rivaliteti i vjetër
Rama, duke vijuar ironinë ndaj Spiropalit, është shprehur se ajo do të “qëndrojë nëpër botë”, një referencë ndaj detyrës së saj si ministre e Jashtme. Ky spostim shihet si pasojë e rivalitetit të hershëm dhe përplasjeve të fshehura mes Ballukut dhe Spiropalit, të cilat nuk janë mohuar as brenda strukturave politike.
Kujtojmë që Spiropali ishte drejtuese politike në Tiranë gjatë zgjedhjeve të fundit, ku Partia Socialiste regjistroi rezultate të dobëta sidomos në zonat e Kavajës dhe Kamzës.
Ndarja e zonave elektorale
Në takimin e mbyllur, u bë edhe ndarja e zonave elektorale për ministra të tjerë të kabinetit, si dhe për drejtues të lartë të PS-së, përfshirë kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi dhe kreun e Grupit Parlamentar Taulant Balla. Të gjithë do të kenë përgjegjësi direkte në organizimin e terrenit dhe mobilizimin e elektoratit në kryeqytet.
Ky zhvillim e konfirmon fuqizimin e Belinda Ballukut si figura kryesore e PS-së në Tiranë, duke dobësuar ndjeshëm rolin e Spiropalit në strukturat e partisë.