Rama me dyer të mbyllura: “Veliajn nuk e shkarkoi qeveria, por Këshilli Bashkiak”

0

Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi këtë të premte një takim koordinues me ministrat dhe deputetët socialistë të Tiranës, në kuadër të organizimit të fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit në Bashkinë e Tiranës.

Takimi u mbajt me dyer të mbyllura, por burime nga mbledhja zbuluan se Rama ka komentuar për herë të parë situatën e krijuar pas shkarkimit të Erion Veliajt. Ai i ka paralajmëruar të tijtë të mos bëjnë deklarata publike mbi këtë çështje, duke i cilësuar të panevojshme dhe të dëmshme për përqendrimin tek fushata.

Rama: “Nuk e shkarkoi qeveria Veliajn”

Sipas të njëjtave burime, Rama ka theksuar se “nuk e shkarkoi qeveria Erion Veliajn, por Këshilli Bashkiak”, edhe pse ai vetë ishte iniciatori i procesit. Mesazhi i Ramës ishte i qartë: socialistët duhet të qëndrojnë larg debateve publike mbi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve, duke i konsideruar përplasjet si një çështje të mbyllur.

Presidenti e ka firmosur me vullnetin e tij dekretin,” – mësohet të ketë thënë Rama, duke nënkuptuar se vendimi është tashmë fakt i kryer dhe se Partia Socialiste nuk duhet të humbasë kohë me polemika.

Organizimi i fushatës: zonat dhe përgjegjësitë

Në vijim, Rama ka shpallur ndarjen e zonave të përgjegjësisë për deputetët dhe ish-deputetët socialistë në territorin e Bashkisë së Tiranës, duke ndjekur modelin e përdorur në zgjedhjet e 11 majit.

Në këtë fushatë do të përfshihen edhe ministrat e kabinetit, të cilët do të kenë një rol mbështetës për strukturat në terren dhe do të angazhohen drejtpërdrejt në komunikimin me qytetarët.

Dekreti i Presidentit dhe sfida e PS-së

Dy ditë më parë, Presidenti Begaj firmosi dekretin për zgjedhjet e parakohshme në gjashtë bashki, përfshirë edhe Tiranën. Ky dekret u kundërshtua nga Erion Veliaj, i cili e paditi në Gjykatën Kushtetuese, por Rama nuk dëshiron që kjo çështje të përziejë fushatën socialiste.

Për kryeministrin, beteja elektorale e 9 nëntorit është prioritet absolut, ndërsa debati për legjitimitetin e procesit mbetet tashmë në duart e institucioneve gjyqësore.


Artikulli i mëparshëmU gjet i dhunuar dhe i vrarë në Tale, 65-vjeçari kishte tre urdhër-mbrojtjeje nga i biri
Artikulli i radhësPolici aksidenton për vdekje një të moshuar në Gjirokastër