
Një tjetër ngjarje e rëndë me shqiptarë është shënuar në Amerikën Latine. Viktima është Artur Tushi, 41 vjeç, me origjinë nga Lezha, i cili u ekzekutua pasditen e së dielës në qytetin Medelin të Kolumbisë.
Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, një person i armatosur në motoçikletë iu afrua Tushit, e pyeti për emrin dhe pasi e konfirmoi identitetin, e qëlloi për vdekje me armë zjarri.
“Ata dyshohet se kërkuan vetëm emrin e personit dhe, kur e konfirmuan emrin e tij, shkuan në vendin ku e kryen aktin,” – ka deklaruar një dëshmitar për mediat kolumbiane.
Në të njëjtën ngjarje, një grua 77-vjeçare mbeti e plagosur, por nuk është ende e qartë nëse ajo ishte me viktimën apo thjesht kalimtare e rastit.
Sipas autoriteteve vendase, atentati ndodhi në zonën “El Poblado”, pranë qendrës tregtare Santa Fe, një nga më të frekuentuarat në Medelin. Vrasësi i dyshuar, një shtetas venezuelian, u arrestua disa orë më vonë në komunën Bello, në veri të Luginës së Aburrá-s.
Gjatë kontrollit, policia kolumbiane sekuestroi motoçikletën dhe armën e përdorur në krim, duke dyshuar se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë.
Ngjarja vjen në një moment kur autoritetet ndërkombëtare kanë ngritur alarmin për rritet shqiptare të trafikut të drogës që operojnë në Amerikën e Jugut, veçanërisht në Kolumbi dhe Ekuador.
