Belinda Balluku reagon pas hetimit të SPAK: “Në Zvicër për takime bilaterale”

0

Pas publikimit të lajmit se zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është marrë nën hetim nga SPAK dhe është thirrur të hënën për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, ka ardhur reagimi i saj i parë publik.

Në vend që të komentojë akuzat apo hetimet, Balluku ka zgjedhur të përgjigjet në mënyrë simbolike përmes një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet duke udhëtuar me tren në Zvicër.

Postimi i Belinda Ballukut

“Me skuadrën e MIE dhe Hekurudhës Shqiptare në një udhëtim me tren nga Zyrihu në Bernë për takimin bilateral me homologun zviceran të Transportit, Energjisë dhe Mjedisit,”
– ka shkruar Balluku në postimin e saj.

Ky reagim vjen në një moment kur hetimi i SPAK-ut ndaj saj për shkelje të barazisë në tendera ka marrë vëmendje të madhe politike dhe mediatike. Publikimi i videos është interpretuar si një përpjekje për të dhënë mesazhin e normalitetit dhe qetësisë, duke treguar se ajo vijon angazhimet zyrtare ndërkombëtare pavarësisht zhvillimeve në Tiranë.

Konteksti i hetimit

Sipas burimeve të drejtësisë, Balluku është thirrur në SPAK të hënën për t’u marrë në pyetje në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tendera në disa projekte të mëdha publike, përfshirë tunelin e Llogarasë dhe Aeroportin e Vlorës.
Në fletëthirrjen e firmosur nga prokurori Dritan Prençi, është përcaktuar që ajo të jetë e shoqëruar nga një avokat, çka lë të kuptohet se mund t’i komunikohet akuzë penale.

Ndikimi politik

Videoja e Ballukut në tren, në një moment kur në Tiranë qarkullojnë lajme për hetim dhe fletëthirrje, është interpretuar si një sfidë ndaj presionit publik dhe opozitës, që kërkon dorëheqjen e saj.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga qeveria mbi zhvillimet e fundit, ndërsa pritet që dita e hënë të jetë vendimtare për ecurinë e hetimit ndaj numrit dy të ekzekutivit.


Artikulli i mëparshëmSPAK konfirmon hetimin ndaj Belinda Ballukut?