
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë raportimit të tij në Kuvend, deklaroi se janë marrë masa konkrete për hetimin e krimeve zgjedhore, duke përfshirë edhe rastet që lidhen me përdorimin e fondeve publike në fushatat elektorale nga ana e Partisë Socialiste.
Çela bëri të ditur se janë ngritur seksione të posaçme pranë prokurorive për periudhën zgjedhore, me qëllim që hetimet për këto krime të trajtohen me përparësi. Ai theksoi se aktualisht janë në zhvillim një sërë çështjesh penale që lidhen me përdorimin e administratës dhe fondeve shtetërore për qëllime elektorale.
“Janë marrë disa masa për krime zgjedhore. Nga ana jonë u ndërtuan seksione të posaçme për periudhën zgjedhore me qëllim që këta prokurorë në prioritet të kishin hetimin e këtij krimi. Ka një sërë çështjesh penale që kanë nisur hetime, që lidhen me përdorimin e administratës apo fondeve publike në fushatë. Mbetet për t’u parë në vijim. Kontrolli realizohet nga pushteti gjyqësor”, – u shpreh Çela.
Deklarata e tij erdhi në një moment kur akuzat për abuzime me fondet publike në zgjedhje janë bërë temë e nxehtë politike, me opozitën që pretendon se fondet shtetërore janë përdorur për blerjen e votës dhe ndikimin në administratë.
Prokurori i Përgjithshëm la të kuptohet se hetimet janë në zhvillim dhe se drejtësia do të japë përgjigjet e saj pas përfundimit të proceseve verifikuese.
Ky raportim në Kuvend u prit me vëmendje nga të gjitha grupet parlamentare, ndërsa Çela nënvizoi se prioriteti i institucioneve të drejtësisë mbetet garantimi i zgjedhjeve të ndershme dhe ndëshkimi i çdo abuzimi me paratë publike.
