
Në konferencën e përbashkët me kryeministren italiane Giorgia Meloni, Kryeministri Edi Rama bëri një deklaratë të pazakontë, duke shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të nënshkruar marrëveshjen e anëtarësimit në Bashkimin Europian edhe pa të drejtë vote apo vetoje.
Rama theksoi se Shqipëria është gati të heqë dorë nga çdo mekanizëm bllokues në BE, me kushtin që procesi i anëtarësimit të përshpejtohet gjatë presidencës italiane.
“Jemi gati të bëjmë një marrëveshje me BE për të mos përdorur as veton dhe as votën, nuk na intereson. Jemi ithtarë fanatikë të vlerës europiane. Jemi gati të nënshkruajmë që të përfaqësohemi nga komisari europian italian.”
Rama e quajti ditën “historike”, e krahasoi mikpritjen italiane me momente unikale në historinë e NATO-s dhe përsëriti se Shqipëria dhe Italia janë, sipas tij, “si një vend i vetëm”.
Në sfondin e takimit, Rama falënderoi Melonin për mbështetjen dhe u tha se Shqipëria nuk ka nevojë për instrumentet e votimit në BE — prioriteti mbetet vetëm hyrja në Union.
