Muçi Shaljani nuk ia del të mbijetojë, atentati mafioz në Rinas merr viktimën e dytë

0

Muçi Shaljani, i njohur edhe me nofkën “Sheqeri”, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës, ku po mbahej prej katër ditësh në intubim, pas atentatit mafioz të ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit më 11 nëntor. Efektivi 40-vjeçar i AMP-së ishte plagosur rëndë me rreth 10 plumba, dy prej të cilave në kokë, ndërsa miku i tij, Gilmando Dani, humbi jetën në vendngjarje.

Shaljani dhe Dani sapo ishin kthyer nga Barcelona, kur automjeti me të cilin lëviznin u qëllua me breshëri pranë aeroportit, në një nga zonat më të mbikëqyrura nga policia. Dani, 47 vjeç, pasagjer në mjetin tip “Benz”, u ekzekutua menjëherë, ndërsa Shaljani u transportua në gjendje kritike drejt Traumës, ku mjekët nuk arritën t’ia shpëtonin jetën.

Policia konfirmoi vdekjen e tij me një njoftim zyrtar, ku thuhet se shtetasi M. Sh. ka humbur jetën gjatë natës, si pasojë e plagëve të marra në atentatin e rrethrrotullimit të Rinasit. Autorët e sulmit vijojnë të jenë ende të paidentifikuar, ndërsa ngjarja po trajtohet si atentat tipik mafioz.

Profil kriminal i Gilmando Danit

Gilmando Dani njihet prej kohësh si një nga njerëzit më të afërt të Emiljano Shullazit, figurë e njohur e krimit të organizuar. Ai ka rekorde të hershme kriminale dhe në nëntor të vitit 2018 u dënua nga Gjykata për Krimet e Rënda me 12 vjet burg, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i akuzuar për zhvatje pasurie, kërcënime dhe presion ndaj biznesmenëve.

Sipas vendimit gjyqësor, Dani rezultonte i përfshirë në kërcënimin e biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zarka, ndërsa grupi u shpall i pafajshëm për akuzat që lidhnin emrin e tij me vendosjen e tritolit në garazhin e Zarkës dhe kërcënimet ndaj rektorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule. Ai u lirua nga burgu në tetor të vitit 2024, pas përfundimit të dënimit.

Arsenal armësh dhe pistat e hetimit

Vetëm tre ditë pas atentatit, policia zbuloi një arsenal të madh armësh në një banesë në fshatin Zall, Fushë-Krujë, duke ngritur dyshime se aty mund të jetë përgatitur logjistika e atentatit. Banesa rezulton në pronësi të 48-vjeçarit Ylli Zalla, i cili është shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit në banesë u sekuestruan:
– 3 kallëpë tritol
– 12 granata dore sulmuese
– sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina të komanduar në distancë)
– 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë
– 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh
– rreth 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm
– 2.25 kg cannabis.

Operacioni policor “Tracking

Policia ka koduar me emrin “Tracking” operacionin e gjerë hetimor dhe operativ, që po zhvillohet në qarkun e Tiranës dhe në zonën e Krujës, me objektiv zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të atentatit në Rinas. Sipas njoftimit zyrtar, po hetohet edhe lidhja e mundshme e Ylli Zallës me atentatin, ndërsa për të vijon puna intensive për kapjen dhe marrjen e tij në pyetje.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia lë të hapur pistën se arsenali i gjetur mund të jetë përdorur ose planifikuar për atentate të tjera.

Kush është Ylli Zalla

48-vjeçari Ylli Zalla është person me precedent penal, i arrestuar më parë për arsenal armësh dhe prodhim lëndësh plasëse. Ai rezulton i skeduar edhe për rekrutime të shqiptarëve drejt organizatës terroriste ISIS, si dhe i përfshirë në kërcënime serioze ndaj biznesmenësh, mes të cilëve edhe ish-pronari i një fabrike çimentoje.

Vdekja e Muçi Shaljanit i jep kështu atentatit të Rinasit dimension edhe më të rëndë, duke e kthyer ngjarjen në një dosje me dy viktima, një arsenal lufte të zbuluar dhe një emër të rrezikshëm në arrati, ndërsa hetimet pritet të zgjerohen mbi lidhjet midis botës së krimit, logjistikës së armëve dhe ekzekutimeve mafioze pranë një prej pikave më të sigurta të vendit.

Artikulli i mëparshëmRama kërkon rikthimin e Erion Veliajt në detyrë: “Gjykata Kushtetuese duhet ta kthejë në zyrë. Tiranës i duhet një udhëheqës legjitim”