Berisha Largon Salianjin Nga Drejtimi Politik I “Kombinatit”

0

Vetëm tri ditë përpara protestës së paralajmëruar të opozitës më 22 dhjetor, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë vendimin për të larguar Ervin Salianjin nga posti i drejtuesit politik të Njësisë 6 në Tiranë, e njohur ndryshe si zona e Kombinatit.

Vendimi vjen në një moment delikat për opozitën, kur strukturat e PD-së ndodhen në fazë intensive mobilizimi për protestën kundër qeverisë. Paralelisht, brenda partisë janë shfaqur përplasje të hapura mes lidershipit dhe Salianjit, kryesisht për shkak të takimeve që ish-deputeti ka zhvilluar me strukturat e partisë në disa qytete të vendit.

Salianji ishte në qendër të debateve edhe në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Partisë Demokratike, ku u përball me kritika të forta nga Flamur Noka, Sali Berisha, si dhe nga drejtuesi politik i PD-së në Elbasan, deputeti Blendi Himçi. Kritikat lidhen me faktin se Salianji po zhvillon takime paralele me strukturat, të cilat sipas një pjese të drejtuesve të PD-së, përbëjnë një lëvizje të brendshme që dëmton unitetin e partisë.

Flamur Noka e akuzoi drejtpërdrejt Salianjin se po ndërmerr një lëvizje që, sipas tij, i shërben kryeministrit Edi Rama. Nga ana tjetër, Salianji i mohoi këto akuza, duke theksuar se brenda PD-së duhet të lejohet mendimi ndryshe dhe se ai nuk duhet të shndërrohet në shënjestër, në një kohë kur fokusi duhet të jetë te qeveria.

“Nuk erdha këtu të flasim për demokratët, por për skandalin Rama–Balluku. Me këtë po zhvendosni vëmendjen nga vjedhjet e qeverisë. Nëse doni të flasim për demokratët, ja ku jam. Do më keni me cel në dorë për të denoncuar këdo që bashkëpunon me qeverinë”, ka deklaruar Salianji në Kryesi.

Ai ka sfiduar gjithashtu drejtuesit e partisë, duke vënë në dyshim aftësinë e tyre për të mobilizuar bazën. “Nëse mblidhni aq shumë njerëz në takime private sa unë, vetëm mirë i bëni PD-së. Të dalë secili të mbledhë njerëz në zonat e veta dhe i mbushim sheshet”, është shprehur ai.

Largimi i Salianjit nga drejtimi politik i Kombinatit shihet si një sinjal i qartë i tensioneve të brendshme në Partinë Demokratike, në një moment kur opozita kërkon të paraqitet e bashkuar përballë qeverisë. Vendimi pritet të ketë ndikim edhe në dinamikat e brendshme të PD-së në prag të protestës së 22 dhjetorit, e cila konsiderohet një test i rëndësishëm për forcën dhe kohezionin e opozitës.

Artikulli i mëparshëmLëvizja Bashkë Proteston Para Kuvendit Kundër Ramës Dhe Ballukut
Artikulli i radhësTë Hënën Ceremonia, Klodian Braho Merr Zyrtarisht Drejtimin E SPAK