Vendos Gjykata: Drejtoresha E AKSHI-t Mirlinda Karçanaj Mbetet Në Arrest

0

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka përfunduar seancën për konfirmimin e masave të sigurisë ndaj personave të pandehur në skandalin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke lënë në fuqi masat shtrënguese të vendosura më herët nga SPAK.

Sipas vendimit të gjykatës, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, do të vijojë të qëndrojë në masën e arrestit në shtëpi. Ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal.

Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj zëvendëses së saj, Hava Delibashi, për të cilën GJKKO ka vendosur gjithashtu vijimin e masës së arrestit në shtëpi.

Gjykata ka lënë në fuqi edhe masat e sigurisë për të pandehurit e tjerë të përfshirë në këtë dosje. Ndaj Erion Ismailit, ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës i pezulluar nga detyra, SPAK ka ngritur akuza për konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.

Në kërkim vijojnë të jenë dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, për të cilët është caktuar masa e arrestit në burg. SPAK i akuzon ata për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim të grupit kriminal, heqje të paligjshme të lirisë, konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.

Ndërkohë, ndaj Andis Papës, Gëzim Hoxhës dhe Rogers Rrytës është vendosur masa e ndalimit të daljes jashtë vendit. Ata akuzohen për pastrim parash, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.

Sipas hetimeve të SPAK, grupi kriminal ka vepruar në mënyrë të organizuar për të manipuluar procedurat e tenderimit në AKSHI. Prokuroria pretendon se përmes presioneve, shantazheve dhe pengmarrjeve, përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera janë detyruar të heqin dorë nga ankimet, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara për të fituar kontratat publike.

SPAK akuzon konkretisht Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin se, përmes pengmarrjes dhe shantazhit, kanë detyruar Gerond Meçen të tërhiqej nga garat për tenderët e AKSHI-t. Me mbështetjen e drejtuesve të agjencisë, kriteret e tenderave dyshohet se janë përshtatur në mënyrë të tillë që të favorizonin kompanitë e lidhura me Ermal Beqirin.

Hetimet sugjerojnë gjithashtu se përmes kësaj skeme janë pastruar miliona euro, duke e kthyer çështjen e AKSHI-t në një nga dosjet më të rënda që po hetohen aktualisht nga SPAK, ku ndërthuren korrupsioni në tendera, krimi i organizuar dhe shkelja e rëndë e ligjit në nivele të larta të administratës publike.

Artikulli i mëparshëmTë Hënën Ceremonia, Klodian Braho Merr Zyrtarisht Drejtimin E SPAK
Artikulli i radhësFox News Raporton Për Sherrin Në Kuvend Dhe Kërkon Koment Nga Departamenti I Shtetit