
Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e katër protestuesve të arrestuar pas protestës së Partisë Demokratike, e zhvilluar më 22 dhjetor përpara Kryeministrisë.
Sipas gazetares Klodiana Lala, ndaj personave të liruar nuk do të aplikohet asnjë masë sigurie, përfshirë edhe detyrimin për paraqitje.
Në vendimin e saj, gjykata ka konstatuar paligjshmërinë e arrestimit të katër protestuesve dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre, duke rrëzuar gjithashtu kërkesën e prokurorisë për vendosjen e masave të sigurisë.
Në mbështetje të protestuesve, në ambientet e gjykatës kanë qenë të pranishëm edhe disa deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre Klevis Balliu, Flamur Noka dhe Bledjon Nallbati.
Një ditë më parë, Policia e Shtetit njoftoi se kishte arrestuar katër persona gjatë protestës, pasi dyshohet se hodhën molotov dhe kundërshtuan forcat e rendit, ndërsa shtatë persona të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë. Po ashtu, policia bëri të ditur se kishte nisur hetim edhe ndaj Ervin Minarollit, me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike.
Si pasojë e protestës, tre punonjës policie mbetën të lënduar dhe morën ndihmë mjekësore në spital. Gjithashtu, u raportua edhe për një simpatizant të opozitës që u përfshi nga flakët e lëndës djegëse gjatë përplasjes.
