
Makina që shfaqet në foton e publikuar është mjeti tip “Audi”, me targë AB 700 RS, me të cilin dyshohet se është larguar ditën e sotme nga spitali Rajonal i Durrësit i paraburgosuri Altin Ndoci.
Sipas të dhënave paraprake, arratisja e Ndocit ka qenë e mirëplanifikuar, pasi automjeti ndodhej në pritje në parkingun e spitalit në momentin që ai u largua nga ambientet e brendshme. Mësohet se targat e makinës ishin të vjedhura disa ditë më parë, çka forcon dyshimet për një skemë të organizuar arratisjeje.
Altin Ndoci ishte paraqitur në spital për ndihmë mjekësore dhe, sipas informacioneve, ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga dy punonjës të Policisë së Burgjeve, të cilët dyshohet se i ka dhunuar, duke arritur më pas të largohet me vrap nga spitali. Menjëherë pas kësaj, ai ka hipur në Audin e bardhë, me të cilin dyshohet se është nisur drejt zonës së Spitallës.
Deri në këto momente, nuk dihet ende se kush e ka ndihmuar në arratisje, ndërsa strukturat e rendit vijojnë kërkimet dhe verifikimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.
Altin Ndoci dyshohet nga SPAK si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale. Ai akuzohet nga Nuredin Dumani se ka qenë pjesë e masakrës së Bradasheshit, ku u vranë vëllai i Endrit Alibej, i njohur si “Tarzani”, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri, si dhe një shtetas turk.
Në një tjetër dosje, Ndoci akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Po ashtu, ai përballet me akuza për mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, municioneve dhe lëndëve shpërthyese, gjithashtu në kuadër të veprimtarisë së një grupi kriminal të organizuar.
Sipas hetimeve, Altin Ndoci konsiderohet pjesëtar i grupit “Çopja” në Elbasan, ndërsa arratisja e tij ka vënë në alarm autoritetet dhe ka hapur një kapitull të ri hetimesh mbi dështimet e sigurisë dhe bashkëpunimin e mundshëm kriminal në këtë ngjarje të rëndë.
