
Prokuroria e Durrësit ka zbardhur emrat e 33 personave ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie në kuadër të hetimeve për skandalin e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”, të konfiskuara rreth një vit më parë në Portin e Durrësit. Çështja konsiderohet një nga aferat më të rënda mjedisore të viteve të fundit, për shkak të dyshimeve se mbetjet përmbanin substanca seriozisht të rrezikshme për shëndetin publik dhe mjedisin.
Sipas njoftimit zyrtar, 26 persona janë arrestuar me burg, ndërsa 7 të tjerë janë vendosur në arrest shtëpie. Masat janë firmosur pas analizave laboratorike të kryera mbi materialet e sekuestruara, të cilat kanë ngritur dyshime të forta për shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor, doganor dhe penal.
Në mesin e të arrestuarve ndodhen figura kyçe të kompanisë “Kurum International”, përfshirë administratorë dhe drejtues departamentesh, por edhe pronarë dhe administratorë kompanish partnere që dyshohet se kanë luajtur rol në transportin, përpunimin apo zhdukjen e mbetjeve. Në pranga ka përfunduar administratori i “Kurum International”, Erdal Demir, si dhe administratori me prokurë Yusuf Sezai Kurum. Arrestime janë kryer edhe ndaj drejtuesve të prodhimit, transportit dhe sektorit të mjedisit brenda kompanisë.
Hetimi ka shtrirë përgjegjësinë edhe te zinxhiri shtetëror i kontrollit. Në listën e personave të arrestuar përfshihen punonjës të Doganës së Durrësit, përfshirë drejtues dhe specialistë, si dhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM). Mes tyre janë ish-drejtoresha e përgjithshme e AKM-së, Arta Dollani, dhe drejtoresha aktuale Marjeta Përlala, të cilat janë vendosur në arrest shtëpie, ndërsa disa inspektorë dhe drejtues sektorësh janë arrestuar me burg.
Po ashtu, masa sigurie janë vendosur edhe ndaj përfaqësuesve të kompanisë koncesionare EMS APO, e cila operon në Portin e Durrësit, si dhe ndaj inspektorëve të Autoritetit Portual. Kjo tregon se hetimi ka nxjerrë në pah një skemë të gjerë bashkëpunimi mes sektorit privat dhe strukturave shtetërore, e dyshuar për lejimin, mbulimin ose moskontrollimin e mbetjeve të rrezikshme.
Prokuroria e Durrësit po vijon ekzekutimin e masave të sigurisë dhe thekson se hetimet janë ende në zhvillim. Sipas burimeve hetimore, fokusi është jo vetëm te futja dhe magazinimi i mbetjeve, por edhe te zhdukja e dhjetëra mijëra tonëve materialesh, për të cilat dyshohet se janë trajtuar ose transportuar në mënyrë të paligjshme.
Dosja “Kurum” pritet të ketë zhvillime të tjera, ndërsa skandali ka tronditur opinionin publik për shkak të përmasave, numrit të madh të të përfshirëve dhe faktit se mbetjet e rrezikshme janë trajtuar për një kohë të gjatë pa u ndalur, pavarësisht mekanizmave shtetërorë të kontrollit.
Ja lista e plotë e 33 personave për të cilët Prokuroria e Durrësit ka firmosur masa sigurie në dosjen e mbetjeve të rrezikshme të “Kurum”, sipas të dhënave zyrtare:
1. Erdal Demir – Administrator i “Kurum International” (arrest me burg)
2. Yusuf Sezai Kurum – Administrator me prokurë i “Kurum” (arrest me burg)
3. Gjovana Sokolaj – Pronare e kompanisë “Sokolaj” (arrest me burg)
4. Doni Sokolaj – Administrator i kompanisë D.o.o Minerals (arrest me burg)
5. Olizana Pemati – Ish-administratore e kompanisë “Sokolaj” (arrest me burg)
6. Mujo Ilazaj – Drejtor i Transportit në kompaninë “Kurum” (arrest me burg)
7. Rami Bunga – Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum” (arrest me burg)
8. Harun Sarica – Drejtor i prodhimit të çelikut në “Kurum” (arrest me burg)
9. Arif Shkalla – Drejtues në kompaninë “Kurum” (arrest me burg)
10. Shaban Hyseni – Drejtor i departamentit të shitjeve në “Kurum” (arrest me burg)
11. Mirjeta Zotaj – Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj” (arrest shtëpiak)
12. Mikail Hila – Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition” (arrest me burg)
13. Mbarime Koroci – Aksionere e kompanisë “Alliance Resource” (arrest me burg)
14. Nazif Bajrami – Pronar i kompanisë “Bajrami N” (arrest me burg)
15. Andon Prifti – Administrator i kompanisë “Bajrami N” (arrest me burg)
16. Petrit Qosja – Person fizik në tregtinë e mbetjeve (arrest me burg)
17. Julian Kapedani – Dega e Doganës Durrës (arrest me burg)
18. Indrit Likaj – Dega e Doganës Durrës (arrest me burg)
19. Helidon Lila – Dega e Doganës Durrës (arrest me burg)
20. Edmond Voda – Dega e Doganës Durrës (arrest me burg)
21. Shkëlqim Jakupi – Dega e Doganës Durrës (arrest me burg)
22. Florian Çimo – Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO (arrest me burg)
23. Gazmend Sina – Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO (arrest me burg)
24. Ingo Hesse – Administrator i kompanisë EMS APO (arrest me burg)
25. Arta Dollani – Ish-drejtoreshë e Përgjithshme e AKM (arrest shtëpiak)
26. Marjeta Përlala – Drejtoresha aktuale e AKM (arrest shtëpiak)
27. Dritan Seferaj – Drejtoria e Inspektim-Kontrollit, AKM (arrest me burg)
28. Kledina Skendo – Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM (arrest shtëpiak)
29. Bujana Tonçiça – Sektori i lejeve mjedisore, AKM (arrest shtëpiak)
30. Evis Mellonashi – Sektori i lejeve mjedisore, AKM (arrest shtëpiak)
31. Kejdi Ahmetaj – Drejtoria e Inspektimit, AKM (arrest me burg)
32. Iva Musa – Inspektore e Autoritetit Portual Durrës (arrest shtëpiak)
33. Xhulio Golgota – Inspektor i Autoritetit Portual Durrës (arrest me burg)
