Nga “simbol i shtetit digjital” në detyrim paraqitjeje – si u zbut masa për Mirlinda Karçanajn

0

Dikur u prezantua si fytyra e “modernizimit digjital” të shtetit. Sot, emri i Mirlinda Karçanaj mbetet i lidhur me një nga dosjet më të zhurmshme që prek mënyrën sesi u administruan miliona euro publike nën flamurin e teknologjisë dhe “inovacionit”.

Gjykata e Lartë vendosi të zbusë masën ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, duke e kaluar nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim daljeje jashtë shtetit”. Një lëvizje që juridikisht mund të argumentohet me proporcionalitet procedural, por politikisht dhe publikisht ngre një pyetje shumë më të madhe: a po tretet gradualisht pesha e një prej aferave që për vite u shit si revolucioni digjital i Shqipërisë?

Në çdo shtet normal, institucionet që administrojnë të dhënat, sistemet dhe kontratat teknologjike konsiderohen zemra e sigurisë publike dhe financiare. Në Shqipëri, AKSHI u kthye për vite në simbol propagande. Çdo portal, çdo aplikacion, çdo konferencë me slogane për “Shqipërinë digjitale” shitej si sukses historik. Por pas fasadës së prezantimeve luksoze dhe videove promocionale, mbetën pyetjet për tenderat, kostot, sigurinë dhe përgjegjësinë.

Dhe ironia më e madhe është kjo: qytetarët u mësuan të presin me orë pas ekraneve të ngrira, sistemeve që binin dhe portaleve që nuk funksiononin, ndërsa miliona euro qarkullonin në emër të “transformimit digjital”. Sot, ndërsa dosjet zbehen nga cikli i lajmeve dhe masat lehtësohen gradualisht, krijohet përshtypja se edhe përgjegjësia po kalon në “version light”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk e shpall të pafajshme Karçanajn. Procesi vazhdon. Por në perceptimin publik, mesazhi është tjetër: në Shqipëri, skandalet që lidhen me pushtetin rrallë përfundojnë me tronditjen që premtohet në fillim. Fillimisht vijnë titujt e fortë, konferencat dhe deklaratat për “luftë kundër korrupsionit”. Më pas nis zbutja graduale – deri sa opinioni publik mësohet me idenë se askush nuk mban realisht peshën e plotë të përgjegjësisë.

Sepse në fund, sistemi shqiptar ka prodhuar një model të njohur: qytetarët trajtohen me forcën maksimale të shtetit për një faturë të papaguar apo një vonesë administrative, ndërsa aferat miliona eurosh përfundojnë në rituale procedurale që zgjasin pafund dhe treten në heshtje burokratike.

Dhe kështu, “Shqipëria digjitale” rrezikon të mbahet mend jo për transformimin që premtoi, por për mënyrën sesi teknologjia u përdor si paketim modern i një kulture të vjetër pushteti.

Artikulli i mëparshëmDroni me 100 kg eksploziv në Lefkada, Greqia e neutralizon me shpërthim