Mbyllja e kufirit me Shqipërinë, Thaçi shpërthen ndaj Kurtit: Me Serbinë i hapi si në bahçe të babës, shqiptarët do i çonte në karantinë 7 ditë. Absurditet!

0
Thaci Kurti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka sulmuar kryeministrin ende në detyrë, Albin Kurti, sa i takon vendimit të autoriteteve për të bllokuar sot hyrjen e kamionëve nga Shqipëria drejt territorit të tyre, pa u dezinfektuar.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ Thaçi thekson se Kurti i ka hapur kufijtë me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë, ndërsa krejt e kundërta ndodhi me Shqipërinë. Po ashtu Thaçi pohon se Kurti padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19.

REAGIMI I THACIT
Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës. Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19. Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave.
Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë.

Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar! HTH

Artikulli i mëparshëm“Zgjedhorja”, opozita e bashkuar nuk tërhiqet: Këshilli Politik të mblidhet nesër
Artikulli i radhësSkenë e denjë për filma/ Vrasja në Laç, ekzekutuesit morën peng fillimisht fëmijët e biznesmenit