Kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës Albpetrol ka shpallur ankandin e tretë të këtij viti për të shitur naftë bruto dhe këtë herë sasia është 48 mijë tonë. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ofertat do të priten deri në datë 3 qershor ndërsa sqarohet edhe formula me të cilën do të llogaritet çmimi final i naftës. Dokumentet zyrtare sqarojnë se vlera fillestare e naftës që do të dalë në ankand do të llogaritet me çmim minimal fillestar për njësi sipas formulës 73.3 % e Çmimit Brent + K
“Në pikat e lëvrimit: Çmimi minimal fillestar për njësi është: 73.3 % e Çmimit Brent – 2.71 USD/bbl + K – 73.3 % është koefiçenti i cili përfaqëson karakteristikat mesatare të naftës (pesha specifike, aciditeti i naftës, % e squfurit). – Brent është çmimi në USD/bbl i Brent i Platts, i publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik. – 2.71 USD/bbl kosto mesatare totale (transport, magazinim, stokim, analizim produkti, sigurim). – K- është vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K≥0)” thuhet në dokument.
Ky është ankandi i tretë që hap për këtë vit Albpetrol për sasi naftë bruto pas atij të janarit me 31 mijë ton dhe atij të marsit me 117 mijë ton të cilët dështuan të dy për mungesë të interesit nga ana e operatorëve.
Për shkak të koronavirusit dhe paralizimit të ekonomisë në një pjesë të mirë të globit nafta arriti rekorde negative çmimi në bursa ndërsa interesi për blerje dhe përpunim ra në minimum. Po kështu paralelisht një pjesë e kompanive që operonin në nxjerrje ndalën punën në puset e tyre një situatë kjo që u shfaq edhe në Shqipëri ku Albeptrol dhe Bankers Petroleum njoftuan për ndalim të punës.
Në bursa të hënën e kësaj jave një fuçi naftë u tregua me 38 dollarë me një rritje të lehtë nga mbyllja e sesionit të mëparshëm reflektuar me vetëm 0.5 për qind ndryshim. Ecuria e çmimeve të naftës pritet të ndikohet nga mënyra sesi do të vijojë mbledhja e ministrave të OPEC.
Për herë të fundit, Albpetrol shiti naftë në një ankand në fund të majit 2019 kur u nxorën në shitje 75 mijë tonë naftë. Në atë kohë, blerja e naftës bruto u bë nga kompania “Al Global Oil” për një vlerë rreth 30 milionë dollarë.