
“Live me Luizin” nisi mbrëmjen e së premtes në Top Channel me shumë bujë, ndërsa vetë emri i programit të Luiz Ejllit të krijon menjëherë idenë e një transmetimi të drejtpërdrejtë.
Por që në episodin e parë, një detaj i shfaqur në ekran duket se ka nxjerrë zbuluar televizionin.
Luizit i ra maska? Emisioni që mban në titull fjalën “Live” rezultoi të ishte i regjistruar.
Në një moment të transmetimit, regjia e Top Channel shfaqi për disa sekonda në ekran shënimin “episod i regjistruar”, duke konfirmuar se ajo që publiku po ndiqte atë mbrëmje nuk po zhvillohej në kohë reale.
Dhe arsyeja pse ky detaj merr edhe më shumë peshë lidhet me një prej të ftuarave të mbrëmjes: Eli Fara.
Këngëtarja është përfshirë gjatë ditëve të fundit në vëmendjen e jashtëzakonshme mediatike për shkak të çështjes së videove intime të lidhura me kompozitorin Adrian Hila. Vetëm gjatë kësaj të premteje, emri i saj ishte sërish në krye të mediave pas dëshmisë së dhënë në polici lidhur me publikimin e pamjeve.
Në këto kushte, shfaqja e Eli Farës në një program argëtues pikërisht në kulmin e këtij skandali do të ishte të paktën e pazakontë nëse emisioni do të transmetohej vërtet drejtpërdrejt.
Por misteri zgjati vetëm pak sekonda.
Shënimi “episod i regjistruar” që u shfaq në ekran tregoi se intervista ishte realizuar më herët, përpara transmetimit të së premtes.
Ironikisht, pikërisht skandali që ka pushtuar mediat gjatë ditëve të fundit duket se e bëri shumë më të dukshme edhe një tjetër detaj: “Live me Luizin” nuk ishte “live”.
Kjo ngre një pyetje të thjeshtë për Top Channel: Përse një program që prezantohet me fjalën “Live” në vetë titullin transmetohet i regjistruar?
Sigurisht, televizionet transmetojnë rregullisht programe të regjistruara dhe kjo në vetvete nuk përbën asgjë të pazakontë. Problemi lind te mënyra se si programi i komunikohet publikut.
Kur fjala “Live” është pjesë e emrit, ndërsa spektatori përballë ekranit krijon përshtypjen se po sheh gjithçka në kohë reale, fakti që episodi është regjistruar duhet të jetë i qartë.
Në këtë rast, Top Channel e vendosi shënimin në ekran, por vetëm për pak sekonda.
Dhe kështu, pa dashje, Eli Fara dhe skandali që ka përfshirë Adrian Hilën mund të kenë zbuluar që në natën e parë sekretin e formatit të ri të Luiz Ejllit.
“Live me Luizin”, të paktën këtë të premte, ishte gjithçka tjetër përveçse live.
