Qeveria po e paraqet “Flamingo Mirror” si një instrument të ri transparence, ndërsa kryeministri Edi Rama ka nxjerrë shifrat e para të përdorimit të platformës. Sipas versionit zyrtar, në 24 orët e para janë regjistruar mbi 127 mijë kërkime, mijëra kërkime për faqe dhe dhjetëra tentativa sulmesh kibernetike.

Bilanci i publikuar nga Rama për 24 orët e para
Sipas të dhënave të bëra publike nga Edi Rama, platforma “Pasqyra e Flamingos/Flamingo Mirror” ka regjistruar mbi 127 mijë kërkime gjatë 24 orëve të para nga lançimi.
Në të njëjtin bilanc janë raportuar edhe 3,397 kërkime për faqe, si edhe 49 pyetje të reja të dërguara në platformë. Shifrat janë prezantuar nga kryeministri si tregues i interesit të menjëhershëm pas kalimit LIVE të sistemit.
122 sulme kibernetike, sipas qeverisë të gjitha të zmbrapsura
Në reagimin e tij, Rama tha se platforma është përballur me 122 sulme kibernetike nga 32 adresa të huaja.
Sipas tij, këto tentativa janë zmbrapsur pa shkaktuar dëm. Deri tani nuk janë dhënë më shumë detaje teknike apo verifikime të pavarura mbi natyrën e këtyre sulmeve dhe ndikimin real që mund të kenë pasur mbi funksionimin e platformës.
Qeveria e shet si betejë për “transparencë”
Kryeministri e ka lidhur nisjen e “Flamingo Mirror” me atë që e quan një fazë të re transparence, duke e paraqitur platformën si një përballje mes “fakteve të qeverisjes” dhe përmbajtjeve që ai i cilëson si anti-shtet në rrjetet sociale.
Ky është framing-u politik që po i jepet projektit nga vetë qeveria. Përtej retorikës, mbetet për t’u parë sa e aksesueshme, e verifikueshme dhe sa e dobishme do të jetë platforma për publikun, përtej shifrave promocionale të ditës së parë.
Çfarë dihet deri tani për platformën
Nga informacioni i bërë publik deri tani, “Flamingo Mirror” ka hyrë në funksion me fokus te kërkimet dhe pyetjet e përdoruesve, ndërsa qeveria po e promovon si një kanal të ri informimi online.
Nuk janë dhënë ende hollësi të tjera mbi mekanizmat e verifikimit, mënyrën e administrimit të përmbajtjes apo standardet me të cilat do të matet transparenca që pretendohet nga ekzekutivi.
Për momentin, i vetmi bilanc publik për “Flamingo Mirror” mbetet ai i shpallur nga kryeministri, me theks te numri i kërkimeve dhe te sulmet e raportuara kibernetike.
Debati real për vlerën e platformës nuk pritet të vendoset nga entuziazmi i nisjes, por nga sa informacion i verifikueshëm do t’u japë qytetarëve në praktikë.
