Yanis Varoufakis jep intervistën e parë për një media shqiptare: Nuk jetojmë në demokraci, por në oligarki me zgjedhje (VIDEO)

0

Ish-ministri grek i Financave Janis Varufakis, në një interviste ekskluzive për Euronews Albania për gazetaren Bruna Cifligu flet për krizën pas pandemisë dhe rekomandon qeveritë si të rimëkëmben ekonomikisht. Ekonomisti dhe akademiku i njohur, thotë se, Evropa jeton në një demokraci të brishtë, ndërsa në Ballkan ajo është thuajse e dështuar.

Sipas tij, kriza që po bota po kalon ndaj COVID-19 “nuk duhet parë si e ndarë nga ajo që ka ndodhur në vitin 2008”, duke theksuar se “po ndahet bota e parasë, nga bota e njerëzve të thjeshtë”.

Drejtues të organizatave të rëndësishme financiare kanë dhënë alarmin për një krizë të rëndë ekonomike edhe më e rëndë se krizat e mëparshme depresioni i 1929 apo dhe kriza financiare e 2008. Me çfarë realisht do të përballet globi?

Si fillim, unë besoj se ne nuk duhet ta mendojmë atë që po ndodh sot të shkëputur nga ajo që ndodhi në 2008. Në 2008 ishte përsëritja e krizës së 1929, për gjeneratën tonë, kur Ëall Street pësoi kolaps, dhe pas asaj Bankat Qendrore dhe qeveritë rimbushen bankat, sektorin financiar dhe biznesin e madh, por nuk krijuan investime të mjaftueshme në punën dhe jetën e shumicës.

Prandaj kur filloi pandemia e COVID-19 dhe në patëm një tjetër recesion të madh, të cilin po e përjetojmë tani, kjo e gjeti ekonominë botërore dhe evropiane në një situatë shumë të dobët, duke ndarë qartë botën e parasë nga bota e njerëzve të thjeshtë. Pra po kalojmë një recesion të madh, të cilin mund ta kalojmë, nëse qeveritë dhe Bankat Qendrore, nuk përsërisin të njëjtat gabime, për sa kohë ato investojnë fort tek njerëzit, në shëndetin publik dhe në të mirën publike dhe në punët që mbrojnë ekosistemin (green jobs) për të cilat kemi nevojë ëepër botë.

Cilët janë instrumentet kryesore për rimëkëmbjen e ekonomive? Çfarë duhet të bëjnë qeveritë?

Mund të shihni që ashtu si në 2008, së fundmi Bankat Qendrore kanë printuar shumë para, por është praktike e tyre që t’ua japin ato para, bankave tregtare, të cilat vërtetë nuk kanë kapacitetet qe t’i përcjellin ato në investime të vërteta. Kështu ajo që duhet të bëjmë që të ekuilibrojmë këtë ekuacion, është që qeveritë të koordinohen me njëra-tjetrën, për një politikë investimi, një plan investimi të gjelbër në shkallë të gjerë, për të gjithë Evropën. Patjetër, do ishte mirë për të gjithë botën, por le të fillojmë këtu nga Evropa.

Në disa nga vendet e Ballkanit, ka një dominim të theksuar të qëndrimit në pushtet të partive të mëdha tradicionale. (Siriza rrëzoi këtë dominim të dy partive të mëdha PASOK dhe Demokracia e Re në Greqi apo dhe VV në Kosovë, por që pati një jetëgjatësi të shkurtër). Përse duket i pamundur thyerja e këtij dominimi nga parti të tjera?

Sepse ne nuk jetojmë vërtetë në demokraci, por në oligarki, me zgjedhje. Dhe kur jeton në një oligarki që kontrollon bankat, mediat, bizneset e mëdha, atëherë është shumë e vështirë që demos (populli) të luajë një rol në demokracitë tona. Pra, kemi një dështim të demokracive në Evropë, veçanërisht në Ballkan dhe do të duhet shumë punë, përpjekje që demos (populli), të ketë mundësitë të rifutet në demokraci.

Një nder sfidat e Shqipërisë është integrimi në Bashkimi Evropian. Vendi ndodhet në fazën e çeljes së negociatave të cilat deri tani kanë ecur në një rrugë të gjatë, pasi qeveritë në pushtet nuk i kanë plotësuar rekomandimet e BE. Si e konsideroni qëndrimin e Athinës zyrtare në këtë proces? Sa e ka mbështetur Greqia, Shqipërinë?

Duke folur si kryetari i një partie në Parlament, mendoj se do të ishte diçka e shkëlqyer nëse Shqipëria të hynte në BE, sepse do t’i përmirësonte më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Do të kishte një mënyrë me efektive të kontrollit të kufijve pa pengesat për vendosjen e shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. Por ajo që shohim nga ana e Brukselit, nga fuqitë e mëdha në qendër të BE, janë dy standarde. Në njërën anë: premtimet për Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Shqipërinë mbi rrugën e integrimit drejt BE dhe në anën tjetër fuqitë e mëdha brenda BE që luajnë lojëra mes tyre. Dhe dua të jem shumë i hapur në këtë. Mendoj se mënyra se si e kanë vonuar procesin e integrimit së fundmi, ka shumë pak të bëjë me Shqipërinë, me Maqedoninë e Veriut, apo me çdo vend tjetër të Ballkanit, por më shumë ka të bëjë me lojërat që konglomeratet franceze, holandeze apo gjermane, po luajnë, sepse ato duan të garantohen për kontrollin që do të kenë mbi biznesin ne vendet tuaja. Jam i ndërgjegjshëm që kjo deklaratë është kontraversale, por po e bëj sepse jam i bindur që është e vërtetë.

Cili është mesazhi jua për shqiptarët si popull i Ballkanit, Evropës dhe mbarë botës?

Ne jemi përballë sfidave të përbashkëta, siç janë ndryshimet klimatike, coronavirusi, varfëria, oligarkia, diktati i pakicës kundër interesit të shumicës. Ne jemi bashkë në këtë varkë. Ne duhet të kemi solidaritet mes njerëzve tanë, në Evropë, në mënyrë që të marrim fatet në duart tona, jo në dorën time dhe tënden, por në duar të shumicës në çdo vend./ EuroNews Albania

Artikulli i mëparshëmRama jo vetëm s’jep paketë të tretë ndihme, por e mohon edhe që e ka premtuar
Artikulli i radhës“Mos bëni publik vendimin e marrë”: përfundon procesi i liçensimeve, FSHF ruan sekretin