KLGJ kërkon ekspert nga Serbia për 150 mijë dosje, avokatët: Pa gjyqtarë s’ka zgjidhje

0

Përballë një sistemi gjyqësor të mbingarkuar me mbi 150 mijë dosje, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zgjedhur të kërkojë ndihmë jashtë vendit. Sipas KLGJ-së, një ekspert i lartë nga Serbia pritet t’u bashkohet grupeve shqiptare që po përpiqen të gjejnë rrugë për uljen e stokut. Por nga avokatia vjen një kundërshtim i qartë: pa plotësuar boshllëqet në sistem me gjyqtarë dhe prokurorë, çdo formulë tjetër rrezikon të mbetet fasadë.

KLGJ kërkon ekspert nga Serbia për 150 mijë dosje, avokatët: Pa gjyqtarë s’ka zgjidhje

KLGJ kthen sytë nga ndihma ndërkombëtare

Sipas materialit zyrtar, KLGJ ka vendosur që krahas ndërhyrjeve ligjore të propozuara, të kërkojë edhe asistencë nga ndërkombëtarët për të ndërtuar mekanizma për evadimin e çështjeve të prapambetura.

Në tryezë janë përmendur modele të zbatuara në gjykatat e Selanikut dhe Athinës, ndërsa në Shqipëri pritet të angazhohet eksperti Dimitrije Sujeranoviç, i cili ka qenë i përfshirë më herët në çështje që lidhen me stokun gjyqësor në Greqi.

Mbi 150 mijë dosje në pritje, barra rëndon mbi qytetarët

Shifrat e bëra publike tregojnë një krizë që nuk është thjesht statistikë. Backlog-u prej më shumë se 150 mijë dosjesh do të thotë më shumë punë për gjyqtarët, por mbi të gjitha më shumë pritje dhe pasiguri për qytetarët që kanë çështje të hapura në gjykata.

Vetëm në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, sipas të dhënave të raportuara, stoku ka arritur në 55 mijë dosje. Ndërkohë, në shkallët e para, ngarkesa për çdo gjyqtar shkon deri në 1 mijë dosje, një tregues i qartë i një sistemi që po punon në kufijtë e bllokimit.

Avokatët hedhin poshtë idenë se mjafton një ekspert i huaj

Pikërisht këtu nis edhe kritika ndaj qasjes së zgjedhur nga KLGJ. Avokatja Gëzime Buçi shprehet se zgjidhja nuk mund të kërkohet vetëm te ekspertiza e huaj, por te mbushja e sistemit me gjyqtarë dhe prokurorë.

Në të njëjtën linjë, edhe avokatja Jilldiz Kastrati kundërshton idenë se problemi mund të zgjidhet duke importuar ekspertizë, duke theksuar se në Shqipëri ka juristë dhe avokatë që e njohin realitetin e sistemit. Kritika e tyre prek thelbin e debatit: a po trajtohet mungesa strukturore e kapaciteteve me zgjidhje anësore?

Propozimet në tavolinë dhe pikëpyetjet për efektin real

Mes propozimeve të KLGJ-së është edhe shmangia e gjykatave për uljen e dënimeve, proces që sipas planit do të kryhet nga burgjet, si edhe përdorimi më i shpeshtë i proceseve online.

Megjithatë, për qytetarët që vazhdojnë të enden dyerve të gjykatave pa marrë përgjigje për fatin e çështjeve të tyre, debati për format teknike mbetet i largët. Nëse sistemi vijon të ketë mungesë trupash gjykuese dhe ngarkesë ekstreme për çdo gjyqtar, mbetet e paqartë se sa mund të ndryshojë situata vetëm me asistencë të jashtme dhe rregullime procedurale.

Në thelb, çështja nuk duket se është thjesht gjetja e një formule të importuar, por kapaciteti real i sistemit për të dhënë drejtësi në kohë.

Deri atëherë, premtimet për ulje stoku mbeten për t’u provuar në praktikë, ndërsa qytetarët vijojnë të paguajnë koston e vonesave në gjykata.

Artikulli i mëparshëmIrani sinjalizon tarifa për kabllot nënujore në Hormuz, në lojë trafiku global i internetit
Artikulli i radhësTreni Tiranë-Durrës premtohet për 2027: tender 15.7 mln euro për hyrjen në kryeqytet