Protesta e tetë në Tiranë u mbyll sërish me tensione, pasi tentativa e qeverisë për ta kthyer tubimin te narrativa e "dialogut" u refuzua nga protestuesit. Nga bulevardi para Kryeministrisë deri te Ministria e Arsimit, sheshi “Skënderbej” dhe zona pranë Katedrales Ortodokse, mbrëmja solli përplasje të përsëritura, hedhje gurësh e molotovësh dhe përgjigje të policisë me gaz, ujë me presion dhe spraj piper.

Ftesa për dialog nuk u pranua
Në nisje të tubimit, para Kryeministrisë u vendosën simbolikisht karrige për dialog, ndërsa drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa, përsëriti ftesën e kryeministrit Edi Rama për studentët, të rinjtë dhe qytetarët që donin të diskutonin me kreun e qeverisë.
Por skenari i ofruar nga qeveria nuk u pranua. Protestuesit i përmbysën karriget e vendosura para godinës së Kryeministrisë, duke e bërë të qartë refuzimin e tyre, dhe më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit. Pedagogët, që në fillim ishin mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nuk iu bashkuan më tej pjesës tjetër të protestës.
Përplasjet e para te Ministria e Arsimit
Tensionet e para u shfaqën pikërisht te Ministria e Arsimit, ku protestues të maskuar hodhën gurë në drejtim të efektivëve. Pas kësaj, policia ndërhyri për shpërndarjen e tyre.
Më vonë, protestuesit u rikthyen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një grup dëmtoi strukturën e një stacioni urban dhe e përdori si barrikadë përballë forcave të rendit. Në zonë u panë edhe grumbullime gurësh, sinjal se përplasjet po hynin në një fazë tjetër.
Gaz, ujë me presion dhe plumba gome pranë Kryeministrisë
Pas një momenti qetësie, situata u përshkallëzua sërish. Sipas versionit zyrtar, protestuesit hodhën gurë ndaj policisë dhe molotovë në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome.
Pas ndërhyrjes, një pjesë e protestuesve u shpërndanë, ndërsa në terren u panë edhe mjete policie që lëviznin në ndjekje të grupeve të larguara. Strategjia e forcave të rendit mbeti e njëjtë me një ditë më parë: ndërhyrje e shpejtë me gaz dhe ujë, sidomos ndaj grupeve të maskuara.
Tensionet u zhvendosën në disa zona të kryeqytetit
Rreth orës 19:30, protestuesit u mblodhën sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por përplasjet u zhvendosën më pas drejt sheshit “Skënderbej” dhe zonës pranë Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Aty u hodhën molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë.
Pas orës 20:00, tensionet u rikthyen edhe një herë para Kryeministrisë. Pati shtyrje mes protestuesve dhe efektivëve, ndërsa policia përdori spraj me piper dhe gaz lotsjellës për t’i larguar nga zona. Në këtë fazë nisën edhe shoqërimet e protestuesve në terren.
Një tjetër përplasje në mbrëmje
Rreth orës 21:00, protestuesit u rikthyen përsëri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u raportua një tjetër sulm me molotov ndaj policisë. Forcat e rendit ndërhynë menjëherë me dy autobotë, duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të mos lejuar afrimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Bilanci i plotë i shoqërimeve dhe masave të marra gjatë mbrëmjes nuk u bë i qartë në të njëjtin moment, ndërsa protesta e tetë la pas një tjetër natë tensioni në kryeqytet, mes refuzimit politik dhe menaxhimit me forcë në rrugë.
Ngjarjet e mbrëmjes treguan edhe një herë se tentativa për ta paketuar krizën si ftesë për dialog nuk prodhoi ulje tensionesh në terren.
Në vend të një zgjidhjeje politike, Tirana pa sërish skenën e njohur: protestues të shpërndarë me forcë, lëvizje policore në disa zona dhe një kryeqytet të mbajtur nën presion deri në orët e vona.
