Banka e Shqipërisë ka vendosur që të revokojë licëncën e subjektit financiar jo bankë “Pay and Go”. Njoftimi është publikuar në buletinin e fundit zyrtar. Vendimi është marrë pasi kompania, – e cila që prej vitit 2016 ofronte shërbime të integruara pagesash me vetëshërbim në para cash në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fushë Krujë dhe rrethina, – ka pasur ulje të kapitalit.
Sipas vendimit të Bankës “Në periudhën raportuese mars 2019, për subjektin financiar jobankë “pAY AND GO” sh.p.k. është konstatuar rënia e kapitalit nën nivelin fillestar minimal të kërkuar, prej 20 milionë lekë, për ushtrimin e veprimtarisë financiare të shërbimit të pagesave dhe transferimit të parave. kapitali është zvogëluar për shkak të rezultatit negativ të gjeneruar gjatë vitit 2018 (pas certifikimit të pasqyrave financiare të shoqërisë nga audituesi ligjor).
Në bazë të vendimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nr. 5682, datë 11.11.2019, është pezulluar licenca e subjektit deri në datën 31 dhjetor 2019. Në pikën 2 të këtij vendimi kërkohet që subjekti “pAY AND GO” të sjellë kapitalin e shoqërisë në nivelet e kërkuara në rregulloren “për licencimin dhe shtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka” brenda datës 31 dhjetor 2019.
Banka e Shqipërisë njoftoi se nuk ka marrë asnjë njoftim për rritjen e kapitalit nga subjekti. Më tej, as nga verifikimi i kryer me të dhënat e regjistruara në qendrën kombëtare të Biznesit nuk rezulton të ketë pasur rritje kapitali të subjektit gjatë kësaj periudhe.
Në bazë të nenit 92 të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me anë të shkresave nr. 7408 dhe 7408/1 i është dërguar njoftim subjektit në dy adresa të ndryshme për fillimin e procedurës për revokimin e licencës, për t’u shprehur me shkrim brenda 5 ditësh, mbi masën e propozuar. Të dy shkresat janë kthyer mbrapsht pasi në adresat e deklaruara nuk gjenden përfaqësues të subjektit.
Si rrjedhojë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë vendosi Revokimin e licencës nr. 37, datë 18.3.2016 të shoqërisë “pAY AND GO” sh.p.k. për të ushtruar veprimtarinë financiare të shërbimeve të pagesave dhe transferimit të parave.