Ben Blushi i zë detin Carapulit, shpërthen sherri mes miqve të Ramës

0

Tokat në bregdetin e Dhërmiut janë kthyer në një patate të nxehtë për qeverinë e Edi Ramës. Fakti që të gjithë miqtë e kryeministrit duan të vjedhin nga një copë bregdet, ka sjellë dhe përplasjet mes tyre.

Gazetari Klodian Tomorri sot ka sjellë detaje se si po ndodh një përplasje e fuqishme mes dy miqve të afërt të Edi Ramës, Ben Blushit që duke qenë drejtor i TCH po vjedh toka lart e poshtë.

Më poshtë gjeni denoncimin e gazetarit Klodian Tomorri:

Kadastra e Vlorës është gijotina më e madhe e nëpunësve publike në Europë.

Një konflikt për tokën e një resorti turistik pranë Folie Marines në Dhërmi deri tani ka ngrënë kokën e dhjetëra drejtorëve në Kadastrën e Vlorës. Por tani, një tjetër konflikt, për një tjetër resort po në Dhermi ka gjasa që të prese koka zyrtarësh edhe në Tiranë.

Në fshatin Gjilekë të Dhërmiut ndodhet një resort me emrin ‘White Rocks’ i ndërtuar nga biznesmeni Pandi Carapuli. Leja e ndërtimit të resortit është miratuar në KKT në vitin 2014, ndërkohë që më vonë resorti u pajis me statusin e investitorit strategjik, duke marrë dhe leje të posaçme 20-vjeçare për shfrytëzimin e brigjeve. Gjithçka po shkonte fjollë për biznesmenin e fuqishëm nga Tirana, deri para pak kohësh.

Një ditë të bukur, toka para resortit nisi të rrethohej. Befas toka që i siguronte resortit hyrjen në det ishte bërë me pronarë të rinj. White Rocks nuk kishte më akses në det.

Zaret e konfliktit u hodhën.

Në rreshtin e parë të resortit thuhet se gjendet edhe vila e një anëtari/anëtareje të fuqishme të qeverisë. Sapo pa që para vilës të vihet trau, zyrtari/zyrtarja e lartë e qeverisë nisi të interesohej kush ishin pronarët e tokës përpara vilës së saj.

Rrugës do të zbulonte se edhe ata ishin jo pak të fuqishëm. Njëri prej tyre është Ben Blushi.

Nga ana tjetër biznesmeni Carapuli, i cili zotëron leje të posaçme 20-vjeçare për shfrytëzimin e bregut, u ankua ne qeveri. Lufta sapo kishte nisur.

Problemi me tokat në bregdet është i thjeshtë. Kushdo që ka marrë tokë aty, në një mënyrë apo një tjetër e ka grabitur. Bregdeti nuk ka patur pronarë. Ata që e kanë marrë tokën përmes ligjit 7501 e kanë patur në përdorim dhe nuk u regjistrohej në hipoteke, vetëm në rast se e shisnin tek njerëz të fuqishëm, të cilët kishin lidhjet e duhura në qeveri dhe Kadastër për ta regjistruar pronën. Ndaj pronarët e rinj të bregdetit janë ose njerëz që e kanë përvetësuar token duke patur mbështetjen e qeverise ose duke korruptuar zyrtarët lokale të Kadastrës për regjistrimin e tyre.

Nën zë thuhet se një prej shumë drejtorëve të emëruar dhe larguar në Kadastrën e Vlorës, shkoi në atë detyrë pikërisht për të regjistruar token para resortit të Carapulit në emër të pronarëve të rinj. Ditën tjetër menjëherë pasi firmosi regjistrimin, drejtori dha dorëheqjen  dhe u largua nga detyra. Por dyshimet janë se regjistrimi i pronës në hipoteke kishte mbështetjen e zyrtarëve të lartë të Kadastrës në Tiranë.

Një gjë është e sigurtë.

Në gjithë këtë konflikt Edi Rama ka qenë jashtë. Sapo është vënë në dijeni, thuhet se ai ka paralajmëruar Artan Lamen të gjejë zgjidhje, në të kundërt pasojat mund të bien edhe mbi të.

Konflikti për token para resortit White Rocks është patatja e re e nxehtë në dorën e Kadastrës. Grabitja e tokave në jug të vendit tashme po krijon konflikte mes grupeve të fuqishme dhe me influence brenda vetë maxhorancës.

Kafshët kanë dalë nga kafazi dhe çështja e tokave në bregdetin e Jugut me gjasa do të hajë koka zyrtarësh, por edhe pronarë të rremë, një pjesë e të cilëve herët e vonë do të duhet të përgjigjen në prokurori për grabitjen më të madhe në historinë e Shqipërisë, privatizimin e bregdetit.

Artikulli i mëparshëmMbyllja e Teksasit për të dytën herë ‘do të jetë opsioni i fundit’
Artikulli i radhësMos i besoni makinës, ja si po ju vidhen të dhënat personale