Komisionit të Prokurimit Publik i është kërkuar që të krijojë një regjistër të ri për ankimimet që bëhen ndaj procedurave të tenderimit ku do të përfshihen edhe elementë shtesë si fondi limit dhe lloji i procedurës që sot nuk janë të përfshira.
Në projektrezolutën e Kuvendit lidhur me aktivitetin e Komisionit të Prokurimit Publik në 2019 kërkohet specifikisht ndërmarrja e këtij hapi.
“Të plotësohet Regjistri Elektronik i Ankesave me elementët shtesë të nevojshëm siç janë edhe lloji i procedurës dhe fondi limit për çdo procedurë prokurimi objekt ankimi” thuhet në projektrezolutë. Aktualisht regjistri ka të përfshirë objektin e procedurës së ankimimit, kompaninë ankimuese, autoritetin kontraktor dhe datën se kur është bërë ky ankimim.
Një tjetër element që sjell në vëmendje Kuvendi është ajo për vonesat në dërgimin e dokumentacionit nga ana e autoriteteve kontraktore kur këto kërkohen nga Komisioni i Prokurimit Publik.
“Për të gjitha rastet kur nga shqyrtimi i ankesave konstatohen shkelje në vendimet e Autoriteteve Kontraktore apo vonesa të këtyre të fundit në dërgimin e dokumentacionit, të marrë masa, sipas natyrës së shkeljes së konstatuar, duke i referuar Agjencisë së Prokurimit Publik për marrjen e masave administrative sipas ligjit’ thuhet në dokument.
Ndër të tjera kërkohet që të forcohen kapacitetet administrative të KPP-së duke e bërë totalisht funksionale strukturën e miratuar nga Kuvendi, deri në fund të vitit 2020, në përputhje me përcaktimet ligjore në fuqi dhe po kështu të merren masa për standartizimin e vendimmarrjes dhe bërjen publike të tyre, me qëllim rritjen e efikasitetit të shqyrtimit të çështjeve, garantimin e barazisë si dhe sigurimin e transparencës.
Kuvendi ka rekomanduar gjithashtu që nëpërmjet bashkëpunimit me shkollën e Magjistraturës, të rritet bashkëpunimi me Gjykatën Administrative përsa i takon trajnimit të punonjësve të të dy institucioneve me qëllim aftësimin e tyre për të trajtuar çështje komplekse të prokurimit publik dhe për tu përballur me numrin në rritje të ankimimeve, në zbatim të rekomandimeve të lëna në Progres Raport.