Lionel Messi mund të shokojë botën dhe të luajë përkrah rivalit më të madh të tij, Cristiano Ronaldo, sezonin e ardhshëm. Të paktën kështu thotë legjenda e Brazilit, Rivaldo, sipas të cilit disa menaxherë po punojnë për të realizuar këtë objektiv, nisur nga pakënaqësitë që ka shfaqur së fundmi argjentinasi me klubin blaugrana.
Një ditë më parë, radio spanjolle “Cadena SER” raportoi se Messi nuk dëshiron të rinovojë kontratën te Barcelona dhe do të largohet verën e ardhshme si lojtar i lirë. Në një intervistë për “Betfair”, Rivaldo thotë se kanë nisur të thuren plane për të bashkuar dy lojtarët më të mirë të dekadës së fundit, e ndoshta gjithë historisë së futbollit, në Torino.
“Me gjithë këto spekulime, besoj se disa menaxherë kanë nisur të ëndërrojnë për të formuar dyshen Messi-Ronaldo te Juventus, dhe impaktin që do të kishte kjo në të gjithë botën”, tha Rivaldo. “Nëse ndodh, do të ishte një bombë dhe besoj se Juventus do ta rimerrte veten shpejt nga invesitmi pasi do të kishte shtim të madh të të ardhurave nga marketingu. Do të ishte diçka historike dhe jam i sigurt që shumë sponsorë do të donin ta ndihmonin Juven”.