Mbrojtësi i Veronës, Marash Kumbulla është një nga lojtarët më të kërkuar në merkato. Futbollisti kombëtares shqiptare cilësohet si një talent premtues për të ardhmen e për këtë arsye janë të shumta skuadra që e kërkojnë.
Në “pole position” duket Lazio e Igli Tares, që ka zhvilluar bisedime konkrete me Veronën gjatë javëve të kaluara, por drejtuesi shqiptar mohon që të ketë bërë një ofertë prej 30 milionë eurosh për kartonin e bashkëkombësit të tij.
“Jo, nuk janë shifra të vërteta. Nuk kemi bërë kurrë oferta prej 30 milionë eurosh për lojtarin. Ai mund të jetë një element i rëndësishëm për të ardhmen, por nuk duam që të ndryshojmë sjelljen tonë dhe do të bëjmë sforco vetëm nëse do të shfaqen mundësi. Rreziku ekziston gjithmonë pas derës por do të mundohemi që të ndërtojmë gjithmonë një skuadër konkurruese”, tha Tare për mediat italiane.
Ndërkohë, duke iu kthyer luftës për titull, Tare insiston se Lazio nuk ka hequr dorë, pavarësisht diferencës së thelluar nga Juventus. “Jemi ndër më të penalizuarit sa i përket kohës së ndeshjeve në krahasim me Juventusin e Interin. Në 5 ndeshje të luajtura deri tani, kjo është e katërta çdo tre ditë, do të thotë shumë për ne. Nuk dua të përdor justifikime por po bëj një analizë. Dje dhe sot kemi folur me skuadrën dhe besojmë ende te titulli deri në fund”, ishin fjalët e drejtuesit shqiptar