Kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka kërkuar nga palët politike që të vijojnë me zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit, e cila sipas tij u mirëprit nga Bashkimi Europian.
Soreca theksoi se Reforma Zgjedhore gjithashtu është kyçe për negociatat dhe anëtarërisimin e vendit në BE.
“Pa këtë kusht nuk mund të fillojë konferenca e parë. Ndryshimet Kushtetuese janë jashtë rekomandimeve të BE-së. Duhen bërë konsultimet përkatëse“, tha Soreca teksa ishte duke kryer një vizitë në Kaninë të Vlorës.
Një ditë më parë, maxhoranca dhe opozita parlamentare miratuan disa ndryshime Kushtetuese, sipas të cilave hapeshin listat dhe pengohej mundësia për koalicione parazgjedhore, gjë e cila mendohet se penalizon opozitën.
Lexo edhe: Lista të hapura pa koalicione: Miratohen në parim kërkesat e opozitës parlamentare
Soreca foli edhe në lidhje me vendimin e BE-së për të mbyllur kufijtë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për shkak të situatës me koronavirusin.
Ai u shpreh se gjendja është mjaft serioze dhe vendimi për Serbinë dhe Malin e Zi u mor vetëm një ditë më parë.