Nga mbikërqyrja kibernetike tek mediat sociale: 10 parashikimet e shkrimtarëve futuristë, që sot janë vërtetuar

0

Nga Nostradamusi deri tek seriali i animuar “The Simpsons”, ka pasur qindra e mijëra parashikime mbi shumëçka, nga pushtimi i hapësirës deri tek ndryshimet klimatike. Më poshtë po rendisim veprat e 10 shkrimtarëve dhe studiuesve, që në kohë të ndryshme kanë parashikuar me një saktësi të çuditshme atë që tashmë ka ndodhur

Xhorxh Oruell dhe mbikëqyrja kibernetike

Dystopianët letrarë kanë parashikuar prej kohësh një kontroll elitar të masave të gjera, dhe përdorimin e një teknologjie përçarëse. Njëri prej tyre është “Big Brother” i imagjinuar në romanin “Viti 1984” të shkrimtarit britanik Xhorxh Oruell, shkruar në vitin 1948.

Vepra e tij përmban parashikime të shumta gjeopolitike, socio-ekonomike dhe strukturore për botën e sotme. Dhe në fakt, sot mbikëqyrja kibernetike është më e pranishme se kurrë më parë. Rrugët janë plot me telekamera, ndërsa gjurmët tona digjitale në internet, i japin mundësinë cilitdo të ndjekë gjurmët tona.

Ndërkohë, korporatat e mëdha i kontrollojnë konsumatorët përmes “Big Data” dhe statusi i mbikëqyrjes është më i dukshëm në vende autoritare si Kina, ku qeveria censuron përmbajtjen e materialeve që shohin qytetarët në internet.

Zhyl Vern dhe pushtimi i Hënës

Shkrimtari francez, parashikoi shumë gjëra në veprën e tij letrare tejet pjellore. Përveç nëndetëses, helikopterit, armëve elektrike apo transmetimeve televizive, një nga parashikimet më të rëndësishme të tij u fokusua në udhëtimet e njeriut në Hënë.

Në vitin 1895 në tregimin me titull “Nga Toka në Hënë”, ai parashikoi se njeriu do të zbarkonte në satelitin tonë të afërt, duke përshkruar detaje që i paraprinin shumë kohës kur jetoi. Ai gjithashtu përshkruan kapsulën e vendosur në raketë, që mund të përdorej për të transportuar pasagjerë.

Filip K. Dik, realiteti virtual dhe hologramet

Është një nga referencat më të rëndësishme mbi veprat e fanta-shkencës dhe autor i kryeveprave të tilla si “Blade Runner” apo “Minority Report”, të përshtatura në filma.

Ai parashikoi përhapjen e madhe të elektronikës, hologramet dhe realitetin virtual, që do të ketë aftësinë të ndryshojë perceptimin e njerëzimit mbi realitetin.

Në vitin 1977, romancieri shkroi se ne mund të jetojmë në një realitet të simuluar që kontrollon mendjet tona, diçka që manifestohet pikërisht në realitetet alternative ose simulimet në të cilat jetojnë personazhet e librit. Sot realiteti virtual është një fakt, dhe

këtë e tregojnë hologramet, që sot janë realitet dhe mendohet të jenë simboli i shekullit XXI.

Robert Hajnlein dhe Lufta e Ftohtë

Pesë vjet para se Shtetet e Bashkuara të lëshonin bombat bërthamore në Japoni, Hajnlein parashikoi ekzistencën e tyre, dhe mënyrën se si ato do të çonin në një konflikt të tensionuar midis 2 blloqeve të udhëhequra nga amerikanët nga njëra anë, dhe Bashkimit Sovjetik nga ana tjetër.

Gjithashtu Hajnlein parashikoi shpikjen e dyshekëve me ujë, të përshkruar me aq detaje në romanin e tij “I huaj në një tokë të çuditshme” (1961), saqë me vonë shpikësi i tij i këtij dysheku pati probleme me patentimin e shpikjes së tij.

Eduard Bellami dhe kartat e kreditit

Bellami botoi librin “Looking Backward” në vitin 1887, një roman futuristik i vendosur më shumë se një shekull më vonë, në vitin 2000. Ai fliste për përdorimin e kartave të lëshuara nga bankat, që do të funksiononin si një mekanizëm pagese.

Xhulian Uest protagonisti i romanit, bie në gjumë në vitin 1887 dhe zgjohet në një shoqëri utopike në vitin 2000, ku çdo njeri ka qasje në një sasi identike kredie të dhënë nga qeveria, e cila përdoret për të blerë mallra të ndryshme. Në këtë vepër flitet edhe për televizionin, i konceptuar si një pajisje përmes së cilës mund të shihen dhe dëgjohen koncerte.

Hugo Gernsbek dhe video-telefonatat

Në vitin 1911 Gernsbek botoi romanin “Ralph 124C 41+”, ku parashikoi shfaqjen e teknologjisë së video-telefonatave që është sot aq e përhapura përmes aplikacioneve si Skype, HangOuts apo Facebook Messenger. Në roman flitet për një pajisje të quajtur “telefon”, që do t’i lejojë njerëzit të shohin dhe dëgjojnë njeri-tjetrin nga distanca të gjata.

Zgjuarsia e nxiti Gernsbek të patentojë shpikje të shumta:Një instrument për të kapur më mirë tingullin në radio (Radio Horn), një metodë e re depilimi (Depilator) apo jastëkët e uljes për avionet dhe makinat fluturuese, ishin disa nga krijimet e tij fantastike.

  1. G. Balard dhe mediat sociale

Fiksimi për të dokumentuar çdo fragment të vogël të jetës sonë, dhe sot të kristalizuar tek rrjetet sociale, ishte parashikuar tashmë në vitin 1977 në një ese të shkruar nga J.G Ballard.

Ja se çfarë thuhet në një paragraf, që duket se ka profetizuar lindjen e platformave si Facebook apo Instagram, dhe që sot janë pjesë e jetës së përditshme të miliarda njerëzve:”Secili nga veprimet tona gjatë ditës, do të transmetohet menjëherë për të tjerët.

Mbrëmjeve do të ulemi dhe shohim këto imazhe, të përzgjedhura nga një kompjuter i trajnuar për këtë punë, vetëm profilet tona më të mira, dialogjet tona më inteligjente, shprehjet tona më të dashura, dhe pastaj do t’i vendosim të gjitha së bashku për të pasur një rindërtim të përmirësuar të ditëve tona”.

Robert Bojl dhe transplantet e organeve

Ky studiues përpiloi në vitet 1660 një listë me 24 përparime të mëdha për njerëzimin, që ai besonte se do të ndodhnin në të ardhmen. Edhe pse jetoi në një epokë thellësisht fetare dhe paragjykuese, Bojl iu bashkua filozofëve, mjekëve dhe shkrimtarëve të tjerë për të formuar Shoqërinë Mbretërore Britanike, për të kërkuar shpjegime shkencore nga bota.

Kështu ai parashikoi progres në fushën e mjekësisë, siç janë transplantet e organeve, shfaqjen e pilulave të gjumit dhe qetësuesit e dhimbjes, “rikuperimin e rinisë”, zgjatjen e jetëgjatësisë dhe shpikje si teleskopët, pajisje për zhytjet, ose anije të afta të lundrojnë kundër erës. Disa nga parashikimet e tij, si shërimi i plagëve nga distanca, shndërrimi i metaleve, dhe shpikja

e një tretësi universal nuk janë realizuar ende.

Neil R. Xhons dhe kriogjenizimi

Në tregimin e shkurtër “The Jameson Satellite”, shkruar nga Neil R.Xhons në vitin 1931, protagonisti profesori Xhejmson parashikon kriogjenizimin e ëndrrave ose krioprezervimin e trupit të njeriut. Dhe sot janë hedhur disa nga hapat e parë në këtë drejtim, përmes projekteve si “Cecryon”, e përkufizuar si “klinika e parë e kriogjenizimit në Evropë”. Protagonisti i kësaj historie, kërkon që kufoma e tij të çohet lart në orbitën e Tokës, me shpresën që ajo të mbetet e ruajtur atje në një temperaturë zero absolute.

Aldous Haksli dhe antidepresivët

Romani dystopian i Aldous Hakslit “Një botë e lumtur” botuar në vitin 1933, flet për një perspektivë të zymtë dhe pesimiste të një shoqërie të qeverisur nga manipulimet psikologjike. Në vepër, njerëzimi ndahet në kasta, ku secili e njeh dhe pranon vendin e tij në këtë lloj ndarje.

Lufta dhe varfëria janë zhdukur, dhe që të gjithë janë përgjithmonë të lumtur që kanë eleminuar familjen, diversitetin kulturor, artin, përparimin e shkencës, letërsisë, fesë, filozofisë dhe dashurisë. Në libër, qytetarët mbështeten tek drogërat dhe pilulat që stimulojnë humorin të quajtura “soma”, përgjegjëse për krijimin e stabilitetit dhe ekuilibrit psikologjik dhe zvogëlimin e mendimeve të trishta apo ankthit. Merita është që ky roman u shkrua dy dekada para se të kryheshin eksperimentet e para shkencore me anti-depresivë, me në krye Prozac. / bota.al

Artikulli i mëparshëmUlet me 2 miliardë njerëz parashikimi për popullsinë në vitin 2100. Bota mendohet të jetë 8.8 mld banorë
Artikulli i radhësQeveria miraton heqjen e tatimfitimit për biznesin e vogël deri në 14 mln lekë