Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka bërë të ditur se vendi i tij do të ndërpresë fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në mes të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
“Sot kam udhëzuar administratën time që të ndalojë fondet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë përderisa është bërë një rishqyrtim për vlerësimin e rolit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në keqmenaxhimin dhe mbulimin e përhapjes së koronavirusit”, tha Trump gjatë një mbledhje me task forcën e koronavirusit të Shtëpisë së Bardhë.
Trump tha se taksa-paguesit amerikanë paguajnë 400-500 milionë dollarë në vit për organizatën ndërkohë që Kina jep vetëm 40 milionë dollarë. Sipas tij OBSH ka dështuar në detyrat e sa themelore, mes të cilave ishte dhe kundërshtimi për të ndaluar udhëtimet nga Kina.
“Si sponsor kryesor i organizatës, SHBA-të kanë për obligim të këmbëngulin në përgjegjshmëri të plotë. Një nga vendimet më të rrezikshme dhe të kushtueshme nga OBSH ishte vendimi katastrofik i saj për të kundërshtuar kufizimet e udhëtimit nga Kina dhe kombet tjera”, tha Trump.
Në fak kohët e fundit OBSH është kritikuar shumë për qasjen e butë që ka pasur ndaj rregjimit kines. OBSH që në janar i besoi pretendimeve të Kinës se virusi nuk transmetohet nga njeriu te njeriu. Ndërkohë që në dhjetor, Tajvani kishte paralajmëruar këtë organizatë se Kina po fsheh faktin se një patogjen ngjitës ka nisur të qarkullojë në popullatë.
Po ashtu, OBSH në deklaratat publike mbështeti përpjekjet e qeverisë kineze për të mos bllokuar udhëtimet nga Kina. Sot akuzat që artikulon dhe Trump janë se pikërisht këta udhëtarë e përhapën epideminë nga Kina në mbarë botën.
OBSH mbështeti statistikat e ofruara nga Kina, edhe pse që në fillim ekspertët hodhën dyshime mbi besueshmërinë e tyre. Shtëpia e Bardhë tha se bazuar mbi statistikat që ofroi Kina, ata menduan se koronavirusi nuk do jetë më i keq se SARS në vitin 2002, që infektoi 8 mijë njerëz. Por kur koronavirusi goditi Italinë dhe Spanjën, u kuptua se shifrat e Kinës nuk ishin të besueshme. Atëherë ishte shumë vonë.
Kjo nuk është hera e parë që Trump sulmon OBSH-në, pasi gjatë gjithë ditëve të fundit presidenti i SHBA-ve është përpjekur që të gjejë armiq të jashtëm për valën e jashtëzakonshme të përhapjes së virusit në shtetet amerikane.
Ekspertët kryesorë të shëndetësisë kanë quajtur vendimin e Trump si një “krim kundër njerëzimit” dhe një akt “të mallkuar” që do të kushtojë jetë.
Shefi i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, e kritikoi Presidentin amerikan Donald Trump për vendimin e marre duke thënë se tani nuk ishte “koha” për të zvogëluar burimet për OBSH: “Tani është koha për unitet dhe bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku në solidaritet për të ndaluar këtë virus dhe pasojat e tij shkatërruese,” tha Guterres
Një reagim ka ardhur edhe nga bashkëthemeluesi i fondacionit “Bill & Melinda Gates” i cili e konsideron tërrezikshëm këtë vendim.
“Ndërprerja e fondeve për Organizatën Botërore të Shëndetësisë është po aq e rrezikshme sa ç’duket. Puna e tyre po frenon përhapjen e COVID-19 dhe nëse puna e tyre ndërpritet asnjë organizatë tjetër nuk mund t’i zëvendësojë. Bota ka nevojë për OBSH-në tani më shumë se kurrë” shkruan Bill Gates në profilin e tij në Tëitter.