Dacia ka konfirmuar se do të sjellë modelin e ri Spring, dhe sipas raportimeve do të jetë makina elektrike më e lirë në tregun europian. Bazuar në konceptin Dacia Spring Electric, i cili u zbulua në Mars, automjeti i parë elektrik i firmës është përshkruar si “një revolucion tjetër” në tregun e ri të makinave.
Makina është bazuar tek Renault K-ZE, një model që u lançua nga kompania mëmë franceze Dacia në tregun kinez në vitin 2019. SUV i vogël do të bazohet në platformën CMF-A dhe do të jetë rreth 30 cm më i shkurtër se Sandero, si dhe do të ketë hapësirë për katër pasagjerë, shkruan abcnews.al.
Makina do të ketë një motor elektrik 45 kuaj-fuqi dhe një bateri 26.8 kwh. Por, ajo që është më e rëndësishme përsa i përket kostos, është se kjo makinë do të jetë modeli më i lirë elektrik në tregun evropian, me një çmim prej 14 000 eurosh apo edhe më i ulët për një version të mundshëm plug-in.