Certifikimi i Albgaz si operator i kombinuar i gazit natyror, ERE shtyn sërish afatin për dokumentet

0

Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur që Albgaz të dorëzojë programin e përputhshmërisë të përshtatur sipas atij të miratuar nga ERE me vendimin nr.77, datë 26.05.2017 të bordit të ERE-s, “Mbi miratimin e programit të përputhshmërisë së operatorit të sistemit të transmetimit për gazin natyror” brenda datës 20 dhjetor 2020.

Detyrimi për dorëzimin e këtij programi ishte 20 qershori i këtij viti por në një shkresë të dërguar pranë Entit Rregullator të Energjisë është argumentuar se situata e COVID-19 ka krijuar vonesa.

“Me shkresën e protokolluar në ERE me nr. 745/1 prot, datë 10.06.2020, shoqëria ka argumentuar se pamundësia për plotësimin e kushteve në afat ka ardhur si pasojë e gjendjes së krijuar nga masat e marra nga Qeveria Shqiptare me qëllim mbrojtjen nga virusi COVID19 dhe për rrethana që nuk varen nga vullneti i Shoqërisë “Albgaz” sh.a” thuhet në vendimin e ERE.

Ky i fundit nënvizon se më herët Albgaz dorëzoi sipas detyrimit që kishte pasqyrat financiare për vitin 2019, të cilat janë paraprake dhe të paudituara nga ekspertët kontabël, ndaj do t’i kërkohet t’i depozitojë në vijim, referuar edhe njoftimit të DPT, që ka shtyrë afatin e dorëzimit të tyre deri më datë 31 korrik 2020.

Albgaz ka aplikuar pranë ERE për t’u certifikuar si operator i kombinuar i gazit natyror çka i jep të drejtë që të ushtrojë disa funksione specifike në sektor por për këtë duhet të plotësohen një sërë kushtesh e dokumentesh.

Albgaz paralelisht është i detyruar që të plotësojë në të njëjtin afat edhe dokumentacionin tjetër që i mungon dhe që lidhet me licencimin në fushën e shpërndarjes dhe transmetimit të gazit. Edhe për këtë pikë ERE i kishte miratuar licencimin 30 vjeçar kompanisë me kushtin që deri në 20 qershor 2020 të ishin dorëzuar dokumentet por tashmë afati i ri është 20 dhjetori 2020.

“Bordi i ERE-s Vendosi: 1. Të miratojë ndryshimin e pikës 1, të vendimit nr. 187, datë 10.11.2017, si më poshtë: “Të licencojë shoqërinë “Albgaz” sh.a., në veprimtarinë e shpërndarjes së gazit natyror, për një afat 30-vjeçar, me kushtin që brënda datës 20.12.2020, në mbështetje të nenit 24, pika 2, e ligjit nr. 102/2015, “Për Sektorin e Gazit Natyror”, të plotësojë të gjithë dokumentacionin e munguar.

Të miratojë ndryshimin e pikës 1, të vendimit nr. 188, datë 10.11.2017, si më poshtë: “Të licencojë shoqërinë “Albgaz” sh.a., në veprimtarinë e transmetimit të gazit natyror, për një afat 30-vjeçar, me kushtin që brenda datës 20.12.2020, në mbështetje të nenit 24, pika 2, e ligjit nr. 102/2015, “Për Sektorin e Gazit Natyror”, të plotësojë të gjithë dokumentacionin e munguar” thuhet në dokument.

Albgaz u krijua në vitin 2016 dhe në 5.01.2017 shoqëria ka aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për certifikim, si operator transmetimi, sipas procedurave të përcaktuara “Për sektorin e gazit natyror”, si dhe për pajisjen me licence për transmetimin e shpërndarjen e gazit natyror. ERE ka dhënë miratimin me kusht plotësimin e dokumentacionit një afat që është shtyrë disa herë.

Artikulli i mëparshëmLinkedIn do të shkurtojë 6% të forcës së punës për shkak të pandemisë
Artikulli i radhësRregulla të reja/ Mënyra e vetme se si mund të shkoni në Greqi