Ulet në 75.64 euro/MWh çmimi i energjisë për impiantet eolike deri në 3MW

0

Enti Rregullator i Energjisë miratoi çmimin për impiantet eolike deri në 3 MW që nuk janë objekt koncesioni. Ky çmim ka pësuar një ulje modeste në raport me çmimin e mëparshëm për këtë kategori impiantesh duke u vendosur në 75.64 euro/MWh ndërsa më herët ky çmim ishte 76 euro/mwh.

Çmimet për impiantet eolike dhe fotovolatike u përcaktuan në të njëjtën kohë pak vite më parë duke synuar që të nxisnin investimet në këto fusha por teksa për fotovoltaikët ka pasur zbatim të projekteve konkrete në vend dhe përllogaritje më të saktë të kostove, duke bërë rishikim të çmimit, për eolikët nuk ka asnjë projekt.

ERE bëri me dije se janë të paktën tre shoqëri që kanë fituar të drejtën nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) për ndërtimin e impianteve eolike në vitin 2019.

“Shoqëritë “WINDSBAB” shpk, “MAX ENERGY” shpk dhe “SEMAN EOLIK” shpk janë të vetmet shoqëri që kanë marrë miratimin përfundimtar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2019 për ndërtimin e impianteve eolike me fuqi deri në 3MW.

Pavarësisht numrit të licencave, të dhëna ndër vite për ndërtimin e impianteve eolike në Shqipëri, këto shoqëri po implementojnë për herë të parë këtë teknologji duke sjellë diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme me investime me kosto më të ulët nga sa parashikuar në VKM nr. 369, datë 26.4.2017 dhe VKM nr 580, datë 28.08.2019” thuhet në vendimin e ERE.

Ky ent argumenton se për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla të rinovueshme nga era me fuqi deri në 3MW për vitin 2019, është e arsyeshme të njihen komponentët për llogaritjen e LCOE që rezultojnë nga Planet e biznesit të projekt zbatimeve të paraqitura së fundmi nga 3 Shoqëritë të cilat janë mbajtëse të miratimeve përfundimtare për ndërtimin e impianteve eolike.

“Bordi i ERE-s, Vendosi:

Miratimin e çmimit të blerjes të energjisë elektrike të prodhuar nga impiantet eolike me kapacitet të instaluar deri në 3 MW prej 75.64 Euro/MWh, për vitin 2019.

Çdo ndryshim në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi per keta prodhues, do të përbëjë shkak për rishikimin e këtij vendimi nga ERE.

Drejtoria e Çështjeve Ligjore, të njoftojë aplikuesit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), Autoritetin e Konkurrencës (AK) si dhe Furnizuesin e Tregut të Lirë (FTL sh.a). për vendimin e bordit të ERE-s” thuhet në vendimin e ERE.

Artikulli i mëparshëmZuckerberg bëhet meme, befason me paraqitjen e tij teksa bën serf
Artikulli i radhësAlbpetrol i shet Allum Enterprises 48 mijë ton naftë për rreth 10 milionë euro