Listat e hapura/ Opozita ofron konsensus, Rama nuk pranon

0

Opozita e bashkuar hodhi një hap të rëndësishëm drejt konsensusit për hapjen e listave. Pas një takimi me aleatët, Lulzim Basha tha se opozita pranon hapjen e 100% të listave për deputetë, me kushtin që formula e koalicioneve dhe e përzgjedhjes së mandateve të mos preket.

“Opozita e Bashkuar do të mbështesë hapjen 100 përqind të listave, me kushtin që koalicionet të mos ndryshohen, por të mbeten kështu siç janë sot dhe, për pasojë, edhe shpërndarja e mandateve të përllogaritet siç është sot, me formulën aktuale të koalicioneve zgjedhore” – tha Basha.

Ai shpjegoi edhe arsyet pse nuk mund të pranohet një hapje e pjesshme e listave.

“Së pari sepse nuk mund t’u thuash shqiptarëve ‘po hap listat dhe pjesën fituese ta zgjedhë prapë partia. Psh, në 34 deputetë të Tiranës, i bie që 11 të zgjedhë partia dhe 1 apo 2 të zgjedhin qytetarët. Imagjinoni qarqe të tjera si Kukësi, Dibra, Berati, Gjirokatra, ku, realisht, qytetarët nuk do të kenë mundësi të zgjedhin fare, sepse në ndarjen më optimiste, 1/3-ën e zgjedh partia, që do të thotë që qytetarët nuk do të kenë mundësi të zgjedhin fare. Pra, do të kemi qytetarë që arrijnë të votojnë për një deputet në mënyrë preferenciale dhe do të kemi qytetarë që nuk votojnë dot për deputetin në mënyrë preferenciale. Pra, duket qartë që është një mish-mash i gatuar me synimin e vetëm të prishjes së koaliconit opozitar, tentativë që e ka bërë politikisht dhe tani do që ta bëjë me ndryshime të njënashme kushtetuese” – tha Basha.

Ka reaguar menjëherë kryeministri Rama që e konsideroi një “gjysmë hapi pozitiv”, por duke këmbëngulur te ndryshimet e njëanshme që do të miratojë në 30 korrik duke hequr koalicionet parazgjedhore.

“Pozitiv gjysëm hapi i LBPD për hapjen e listave, që është thelbi i risive kushtetuese! Si e sa do hapen nga jo më pak se 75% në 100% kjo i takon diskutimeve pas 30 korrikut! Deri në 30 korrik ka rëndësi hapja e sotme e LBPD për listat, çka vetëm votimi 30 korriku e garanton.
Sa për koalicionet parazgjedhore ato nuk do të ndalohen, thjesht do të standartizohen si kudo në Europë,po edhe kjo do të shkruhet e votohet pas 30 korrikut,kështu që për sot i vetmi ndryshim është hapja e LBPD ndaj risisë kushtetuese që do të sjellim në 30 korrik!Mjaft pozitive!” – shkroi Rama në Twitter.

Refuzimin e saj mazhoranca e zyrtarizoi edhe në Këshillin Politik ku gjeti një arsye qesharake duke i kërkuar opozitës që është jashtë parlamentit të mbledhë 28 firma deputetësh për të zyrtarizuar propozimin. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri i ka kërkuar PD dhe opozitës që të gjejë 28 deputetë për të paraqitur nismën e saj ligjore.

“Amendamenti nuk pengon hapjen 100% të listave por vë një dysheme duke thënë jo më pak se 2/3 e hapur. Edhe çështja e formulimeve për koalicionet edhe për 100% hapje listash është e mundshme të rregullohen në kodin zgjedhor. Nëse doni pastaj të bëni propozime në formë amendamentesh kushtetuese duhet ndjekur rruga parlamentare me firmat”, citohet të ketë thënë Gjiknuri.

Në krahun tjetër Oerd Bylykbashi i ka sqaruar se propozimi i PS për ndryshime të njëanshme të Kushtetutës të cilat lidhen me zgjedhjet dhunon Marrëveshjen Politike të 5 Qershorit. Këto ndryshime kushtetutese në veçanti zhbëjnë disa nene të Marrëveshjes së 5 Qershorit, përmes të cilave jo vetëm ruhen koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, por edhe çdo parti brenda koalicionit vazhdon të ruajë të drejtën dhe mundësinë të konkurrojë me listat e veta të veçanta. Ndryshimi i njëanshëm i PS, prek jo vetëm elementë të qenësishëm të sistemit që kanë impakt të drejtpërdrejtë tek rezultati, por gjithashtu prek të gjithë procesin e administrimit zgjedhor.

Artikulli i mëparshëmParatici: Ekipet e Serie A gënjejnë, nëse nuk e duan e marrim ne titullin
Artikulli i radhësSeriali për Hillaryn tregon jetën e saj nëse nuk do të martohej me Bill Clintonin