Drejtori i Juventusit, Fabio Paratici, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediat italiane, ku ka folur për titullin kampion, si dhe ka thumbuar rivalët, duke thënë: “Skuadra ka ndryshuar disa sisteme loje për disa ndeshje në këtë kampionat.
Mesfushorët kanë qenë gjithmonë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Në ndeshjet e fundit kemi krijuar më shumë volum dhe kemi pasur më shumë mundësi që mesfushorët të shënojnë gola. Pavarësisht faktit nëse është titulli i gjashtë, i tetë apo i nëntë, janë rezultatet ato që na bëjnë krenarë.
Njerëzit që bëjnë sport e dinë sa e vështirë është të fitosh. Është një rezultat i jashtëzakonshëm dhe do ta kuptojmë rëndësinë e kësaj që kemi bërë pas 10 apo 20 vitesh, kur të shohim librin e artë. Ne jemi mësuar me këtë gjë, sepse jemi Juventusi dhe na pëlqen të kemi presion, por edhe kur debatet janë konstruktive.
Të gjithë thonë se kanë arritur objektivin e tyre, por askush nuk e thotë që objektivi i tyre ishte titulli. Nëse askush nuk e do, atëherë e marrim ne me kënaqësi”, u shpreh Paratici.