Nga Pogradeci, ambasadorja franceze në Tiranë Christine Vasac komentoi ngërcin e fundit politik në vend, atë për ndryshimet kushtetuese, hapjen e listave dhe koalicionet parazgjedhore. Për ambasadoren franceze kjo është një cështje e brendshme dhe u përket shqiptarëve për të vendosur.
“Ka një projekt të rieditimit të të gjithë Kushtetutës shqiptare. Kryeministri është shprehur në mënyrë publike dhe në Parlament në lidhje me këtë. Ka edhe një qëndrim të Presidentit të vendit, i cili na mblodhi ne të gjithë ambasadorëve të BE dhe të Mbretërisë së Bashkuar dje. Iu përket shqiptareve dhe vetëm atyre që ta trajtojnë këtë çështje.
Ka një kalendar i cili është vendosur dhe në qoftë se do të respektohet ose jo kalendari këtë do ta tregojë koha. Por do të duhet një bashkëpunim i pozitës dhe opozitës në mënyrë që ne të marrim një rezultat.” -u shpreh Vasac.
Pyetjes nëse listat e hapura dhe aleancat paszgjedhore janë modeli i duhur për Shqipërinë, ambasadorja iu përgjigj: “Mos prisni një përgjigje prej meje mbi themelin e organizimit, sepse është kjo është një çështje shqiptare”.
Sa i përket qëndrimit të BE, nëse nuk ka një reformë të plotë në sistemin e drejtësisë dhe sistemin zgjedhor, ambasadorja tha se ashtu si ju e dini në 25 mars janë hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duhet të fokusohemi tek konkluzionet dhe kjo nuk është diçka e re.
“Qëllimi kryesor është që të konkretizohet situata, në mënyrë që të kemi konferencën e parë ndërqeveritare. Është gabim të themi pa pushim që po shtohen kushtet për Shqipërinë. Unë ju sugjeroj që të lexoni konkluzionet e 25 marsit dhe konkluzionet e mëparshme.
Interesi i Shqipërisë është që të mbahet sa më parë konferenca ndërqeveritare dhe për këtë është duke punuar ambasadori Zef Mazi i emëruar nga kryeministri.” U shpreh ajo.