Plani i Edi Ramës për të rikonfirmuar organizatën e tij në pushtet edhe 4 vite të tjera dhe mandej deri në vitin 2030, duket se është më i hershëm se lëvizjet për të ndryshuar Kushtetutën dhe rregullat e lojës elektorale me parlamentin që ka nën kontroll.
Ky plan është i disa-fishtë. Përveç mos lejimit të daljes në bllok nëpërmjet koalicioneve të opozitës së bashkuar në zgjedhjet e ardhshme, ai shtrihet edhe në dimensionin ekonomik-kriminal.
Nëpërmjet amnistisë fiskale dhe premtimit absurd për heqjen e taksave për bizneset me xhiro deri 140 mijë dollar, të cilat janë hedhur poshtë në mënyrë të panegociueshme nga FMN dhe Banka Botërore, Rama synon që të kryejë edhe një rikthim të skemës me krimin të përdorur në vitin 2013. Por këtë herë më të sofistikuar, pasi ka si pengesë ligjin për Dekriminalizimin.
Pasi dështoi që të vinte në pushtet, pavarësisht gjithfarë bllokimesh ordinere për avancimin e axhendës së vendit drejt BE-së dhe liberalizimit të vizave dhe lloj-lloj grevash, pranoi skemën politike të bashkimit me LSI-në, por ‘dikush’ e mësoi që paralelisht të përdorë edhe atë të shkrirjes me krimin. Kjo veçanërisht në zonat ku Partia Demokratike ishte fitimtare absolute, tradicionalisht.
Në skemën e parë që e solli në pushtet, përfaqësuesit e krimit, Edi Rama, i futi në parlament dhe i bëri kryetar bashkish. Pa llogaritur katapultimet në administratën shtetërore, e cila është kthyer në një çerdhe të të dënuarve jashtë vendit për trafik e vepra të tjera penale.
Gjithashtu një pjesë të krimit, ai e shpërbleu dhe e fuqizoi nëpërmjet tenderave dhe punëve publike.
Për zgjedhjet e vitit 2017 ju dha bonusin e madh, duke shndërruar Shqipërinë në vitet 2015-2016 në një parajsë të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe të të gjitha llojeve të drogave.
Tani vetëm 8-9 muaj përpara zgjedhjeve të vitit 2019 është duke përmbyllur me shpejtësi, një aleancë të re me krimin e të gjitha llojeve.
Përveç shtabeve elektorale të Partisë Socialiste, atyre të biznesmenëve që kanë bërë miliona nëpërmjet punëve me shtetin, janë drejt fundit edhe shtabet elektorale që kanë dalë nga ‘Operacioni Forca e Ligjit’.
Ky operacion nisi nga një truk i Edi Ramës, sikur po i hapte luftë prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin. I quajti ‘Kap ça të kapësh’, por në fakt vetëm në retorikë (që e tillë mbeti) po dublonte institucionet reja të Drejtësisë.
Gjithsesi mbi këtë fabul kaloi një ligj për ‘OFL’ në dhe me shpejtësi nisi të dërgojë policinë nëpër çdo qytet e zonë të Shqipërisë, për të trokitur në dyert e të dënuarve më herët brenda dhe jashtë vendit.
Nëse në skemën e parë për të marrë pushtet i futi përfaqësuesit kryesorë të krimit në parlament, pushtet lokal dhe në administratën e lartë, këtë herë ka zgjedhur që ti vendosë nën rresht për zgjedhjet e ardhshme, duke i shantazhuar me pasurinë.
Dhe në fakt ja ka dalë. Shihni çfarë po bëjnë: Trokasin dhe ju lënë në dorë një formular ku duhet të deklarojnë se çfarë pasurish e biznesesh posedojnë. Mesazhi është i qartë: Rrezikoheni të sekuestroheni!
Ky formular që plotësohet me dëshirën e të piketuarëve nga një database që e ka minstria e Drejtësisë, nuk dihet nëse verifikohet apo jo, pas dorrëzimit. Transparenca zero, vetëm njoftime të përditshme për mediat; Shkuam te `filan fisteku` i dënuar më herët për `y` gjë, në `x` qytet!
Pastaj disa nga këto paçavure të seleksionuara nga një shtab politik-elektoral që kontrollohet jo nga prokuroria, por nga ministri Sandër Lleshaj në koordinim me përfaqësuesit politik të ‘Rilindjes’ në çdo qark të vendit, dërgohen në SPAK.
Në fakt aty çohen vetëm ‘gjëra të vogla’. Prona qesharake të cilat edhe ato rëndom janë hedhur poshtë nga SPAK, i cili sipas të dhënave që ka nxjerrë vetë, i ka rrëzuar ‘OFL-së’ 90% të kërkesave për sekuestro.
Ndërkohë mbi pasuritë e gjithë krimit në vend vazhdon dhe qëndron e ngritur jo `Shpata e Demokleut`, por ajo e Edi Ramës (OFL) që kërkon me çdo kusht e faturë, të paktën edhe një mandat të tretë.
Të gjithë këta kontigjentë të botës së krimit që në shumicën e rasteve janë edhe biznesmenë e që po mbahen nën tension permanent, përbëjnë shtabet elektorale ‘në hije’ të Rilindjes që do të garantojnë një pjesë të votave në zgjedhjet e vitit 2021
Punoni për të fituar sërish `Rilindja`, që të shpëtoni pronat e bizneset!/syri.net