Përmbytje, tërmete, zjarre, por qeveria Rama gjithmonë ‘me brekë nëpër këmbë’!

0

Ka një shprehje frazeologjike të popullit shqiptar, për këdo që në situata të vështira gjendet i papërgatitur: Me brekë nëpër këmbë!

Pikërisht kjo mund të thuhet për 8 vitet e qeverisë së Rilindjes sa herë që gjendet përpara situatave të jashtëzakonshme të shkaktuara nga natyra, por edhe me ndihmën e dorës së njeriut dhe institucioneve përgjegjëse shtetërore.

Nëse ju kujtohet gjatë fushatës elektorale të vitit 2017 kur morri pushtetin i vetëm me “Niçen& Gjushin” e shokë të tyre, Rama, u shfaq në një spot duke tërhequr diellin, të cilin nëse do t’i jepnin votën, e kishte `taksur` për shqiptarët.  

“Më ndihmoni të bëj gjithçka mundem për ju”, dhe pastaj tërhiqte litarin dhe ngrinte lart në qiellin një diell që do të ngrohte dhe ndriçonte Shqipërinë. Dhe jo pak shqiptarët e ndihmuan, që të ngrinte lart “diellin” duke shpresuar, se të paktën në ditë të këqija si ato me përmbytje, tërmete e zjarre si sot, ai dhe qeveria e tij do ti shpëtonte.

Kur ishte në opozitë Edi Rama dhe Rilindja e tij, mes të tjerave, një nga pikat më të forta që përdorte për të goditur qeveritë Berisha në çdo sezon reshjesh apo zjarresh, ishte mungesa e aftësive parandaluese dhe më pas menaxhuese, në rast katastrofash nga natyra.

“Është e pamundur, që të tilla katastrofa [përmbytjet e zjarre], të përsëriten, në rast se ka një qeveri, që qeveris dhe jo një pushtet që sundon. Në rast se ka institucione të cilët bëjnë punën e tyre, si mendoni ju, ka mundësi që arsyeja jonë të pranojë se nuk ka pasur shira të tillë në të shkuarën?!”, deklaronte dikur Ramë opozitari

Sapo u ul në karrigen e kryeministrit për herë të parë, duke folur për Emergjencat Civile thoshte se as çizme nuk kishte gjetur nëpër magazine dhe një shërbim të lënë rrugëve të zjarrfikësve.

Por –vazhdonte ai- këto histori që ndodhin për faj të shtetit, do të merrnin fund njëherë e mirë.

Kaluan shumë vite në pushtet, ndodhën përmbytje, pastaj tërmete dhe tani ja ku jemi përpara faktit që Shqipëria po digjet. Dhe shteti dhe Emergjencat Civile të Edi Ramës, gjithmonë me `Brekë nëpër këmbë`.

Sa herë që vendin e përfshijnë shirat, jo vetëm zonat rurale dhe bujqësore por edhe qytete si Tirana dhe Durrësi, përmbyten për 2-3 orë.

Ju kujtohet kur ranë tërmetet e vitit të shkuar se në çfarë gjendje u kapën Emergjencat Civile. As qen kërkimi (për të cilët në letra paguheshin miliona) nuk kishin. Të gjithë e pamë se si “specialistët” tanë gërmonin me duar rrënojat me njerëz brenda, ndërkohë që prisnin homologët nga Kosova dhe e gjithë bota.

Sot Shqipëria është nën flakë dhe shteti i Edi Ramës është kapur sërish gafil në rumpallën dhe papërgjegjshmërinë që e karakterizon tash e 8 vite që kur erdhën në pushtet.
Ministria e Mbrojtjes flet për zjarr-vënie të qëllimshme por deri në momentin që po shkruhej ky `Shënim`, nga Policia e Shtetit nuk asnjë informacion për arrestime të personave që kanë vendosur zjarret dhe as për nisje hetimesh.

Pylli me pisha në fshatin Siman në Gramsh është përfshirë nga flakët që prej mbrëmjes së 2 gushtit dhe ende nuk është shuar. Një tjetër vatër zjarri në fshatin Molung në Grykën e Qafë Thanës, në Rubik, prej ditësh vetëm zgjerohet dhe po shkon me shpejtësi drejt shtëpive të fashtrave në atë zonë.

Në flakë janë edhe pyjet mes fshatrave Lekël dhe Hormovë në Tepelenë. Banorët nëpër të gjitha vatrat në vend, janë detyruar që të ndërhyjnë vetë sa munden me mjete rrethanore.

Të shtunën, në datën 1 gusht, një zjarr i madh ra në pyllin e Sulit afër Devollit, si dhe në pyjet e Lezhës e Mirditës, por banorët deklarojnë për mediat se reagimi i institucioneve shtetërore ka qenë gati in-egzistent. 

Ose… `Me brekë nëpër këmbë`!/syri.net

Artikulli i mëparshëmAvokatët e Ylli Ndroqit: Sulm politik pas gjyqit me Veliajn, do e ankimojmë vendimin
Artikulli i radhësFOTOT/ “Me automatik dhe pistoleta”: Protestuesit e “Black Lives Matter” futen në “qytetin më racist” amerikan