Liga e Futbollit Profesionist vendos bojkotimin e kampionatit. Ndryshimet ligjore për sportin nuk kënaqin aktorët e futbollit shqiptar. Pas një mbledhje të gjatë me përfaqësuesit më të lartë të FSHF-ës dhe klubeve pjesëmarrëse në Superligë, Liga e Profesionistëve të Futbollit ka dalë me një vendim drastik duke bojkotuar sezonin e ri nga 12 shtatori e në vijim deri në plotësimin e kërkesave të reja.
NJOFTIMI
Liga Profesioniste e Futbollit, pasi u njoh me ndryshimet ligjore për sportin të realizuara deri më tani, konstaton me keqardhje se këto ndryshime nuk i japin zgjidhje kërkesave te klubeve te Kategorisë Superiore dhe nuk përmbushin premtimet e bëra nga Qeveria Shqiptare ne tryezën e 11 marsit 2019.
Në këto kushte, Liga Profesioniste e Futbollit kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë:
-Miratimin e një ligji të ri për sponsorizimet sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt real mbi ekonominë e futbollit.
-Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6%, si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
-Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.
-Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.
Për sa më sipër, LPF vendosi të bojkotojë Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore nga data 12 shtator e në vijim, deri në plotësimin e kërkesave te mësipërme.