Identifikohet personi që u gjet i pajetë sot në aksin rrugor rural Poliçan-Suhë, brenda mjetit të tij tip kamionçinë. Burime policore konfirmojnë se viktima është shtetasi Gëzim Saraçi.
Ndërsa policia bën me dije se ndaj tij është qëlluar me sende të forta, blutë e Gjirokastrës kanë mundur të identifikojnë edhe autorin.
Dyshohet se autori i krimit ka qenë duke udhëtuar në makinë me shoferin e kamionçinës dhe mes tyre ka pasur një konflikt të çastit që më pas ka degjenuar në përdorimin e armëve të ftohta.
Policia bën me dije gjithashtu se po vijojnë kontrollet për kapjen e autorit të krimit.
Informacion paraprak
Në aksin rrugor rural Polican-Suhë, shtetasi G. S., 57 vjeç, banues në Gjirokastër, në rrethana ende të paqarta është gjetur i pajetë në mjetin e tij tip kamionçinë.
Nga këqyrja paraprake dyshohet se është goditur me sende të forta.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komsiariatit të Policisë Gjirokastër kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.