Ditën e djeshme në Tiranë ka ndodhur një ngjarje e rëndë, ku një 25-vjeçar gjatë kohës që po punonte ka rënë nga skela . Ai mbeti i plagosur dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë sot policia ka arrestuar inxhinierin për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik dhe po procedohet penalisht pronari i firmës ndërtuese të pallatit.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga për shkelje të rregullave në punë, inxhinieri për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik dhe procedohet penalisht pronari i firmës ndërtuese të një pallati në ndërtim, ku ditën e djeshme mbeti i dëmtuar një 25-vjeçar, gjatë kohës që po punonte në këtë objekt.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 47 vjeç, me detyrë inxhinier për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik, si dhe u procedua penalisht shtetasi S. P., 44 vjeç, pronari i firmës ndërtuese, sepse ditën e djeshme, në rrugën “Hoxha Tahsim”, ka rënë nga lartësia si pasojë e mosvendosjes së barrierave mbrojtëse në skelën e ndërtuar, gjatë kohës që po punonte, punëtori P. N., 25 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.