Është ndarë nga jeta si pasojë e Covid-19 inxhinieri i njohur i pyjeve Ferdin Liçaj.
Lajmin e kanë bërë të ditur miqtë e tij, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre përmes disa postimeve në rrjetet sociale.
Ata shprehen se Liçaj ka qenë një njeri model dhe ekspert i talentuar në fushën e mjedisit dhe pyejeve.
Postimi prekës i miqve të tij:
Sot u nda nga jeta, sot u nda nga ne, miku im, miku dhe shoku i të gjithë pylltarëve, inxhinier Ferdin Liçaj! Një lajm që na shokoi, na befasoi, na krijoi shumë dhimbje, shumë boshllëk, shumë hidhërim.
Virusi tinzar, i tmerrshëm, i pabesë, i pamëshirshëm, na e mori Ferdinin tonë. Na e mori në moshën më të mirë, në moshën ku Ai kishte shumë projekte, shumë ëndrra….
Ne, që e njohim që në hapat e para të rrugëtimit, nuk do ta harrojmë kurrë njeriun e mirë, njeriun e mençur, njeriun fisnik, intelektualin erudit, nuk do ta harrojmë kurrë ekspertin pasionant, të dashur, të talentuar të pylltarisë shqiptare, nuk do të harrojmë poetin që i këndoi jetës, vendlindjes, bukurisë dhe madhështisë se natyrës, nuk do të harrojmë përkthyesin e palodhur dhe të talentuar, nuk do të harrojmë familjarin shembëllor, të dashur, të ëmbël, të përkushtuar..
Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve, shokëve, kolegëve, që patëm fatin dhe privilegjin të miqësohemi dhe të bashkëpunojmë me te. Sa shumë do na mungosh o miku ynë! I paharruar kujtimi dhe gjithë kontributi i Tij! Lamtumirë i dashur dhe i shtrenjti Ferdin Liçaj ! Lamtumirë o miku ynë i mirë!